Josep Borrell - Foto: REL
Borrell flet për takim urgjent mes Kurtit dhe Vuçiqit
Përfaqësuesi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka deklaruar se këtë mëngjes sërish ka folur me kryeministrin Albin Kurti dhe gjatë natës me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Borrell thotë se ka kërkuar nga të dyja palët që urgjentisht të marrin masa për të ulur tensionet menjëherë dhe pa kushte.
“Kam kontaktuar me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti përsëri këtë mëngjes dhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, gjatë natës. I kërkova të dyja palëve që urgjentisht të marrin masa për të ulur tensionet menjëherë dhe pa kushte. Dhe çdo veprim i mëtejshëm i njëanshëm duhet të shmanget dhe të rivendoset qetësia”- ka deklaruar Borrell.
“Si hap i parë, pres që autoritetet e Kosovës të pezullojnë operacionet policore me fokus në ndërtesat komunale në veri të Kosovës dhe protestuesit e dhunshëm të tërhiqen. Unë do të vazhdoj të angazhohem me dy liderët”- shton ai.
Borrell thotë se nga palët pret që të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë në Dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri të Kosovës që garanton siguri dhe siguri për të gjithë qytetarët dhe hap rrugën për zbatimin e Marrëveshjes së re në rrugën drejt normalizimit.
“Për këtë, unë jam duke punuar në organizimin e një Takimi urgjent të Dialogut të Nivelit të Lartë të mbështetur nga Përfaqësuesi Special i BE-së Miroslav Lajçak”- ka shtuar ai.
Më tej, shefi i diplomacisë së BE-së ka thënë se zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i EEAS për paqe, siguri dhe mbrojtje, Charles Fries, ndodhet në Kosovë.
“Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i EEAS për paqe, siguri dhe mbrojtje, Charles Fries, ndodhet në Kosovë. E kam kërkuar që të shkojë në Kosovë, ai është atje, dhe së bashku me misionin tonë të BE-së për Sundimin e Ligjit, EULEX-i , si reaguesi i dytë i sigurisë, do të më raportojë personalisht për situatën në terren”- ka theksuar ai.
Ai gjithashtu thotë se BE dënon ashpër dhunën në veri të Kosovës teksa shton se veprimet e dhunshme ndaj qytetarëve, ndaj mediave, ndaj forcave të rendit dhe trupave të KFOR-it janë absolutisht të papranueshme dhe sjellin një situatë shumë të rrezikshme.