Josep Borrell - Foto: REL

Borrell: Është koha që Kosova dhe Serbia të tregojnë guxim dhe përgjegjësi

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka thënë se është koha që Kosova edhe Serbia të tregojnë guxim dhe përgjegjësi, duke pranuar aneksin për zbatimin  planit e BE-së për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi të njohur si plani franko-gjerman.

Në një shkrim të publikuar në faqen e Bashkimit Evropian, në prag të takimit të 18 marsit në Ohër të Maqedonisë së Veriut, shefi i diplomacisë evropiane ka theksuar se dy vendet tani duhet të fokusohen në ‘fotografinë e madhe’ duke mos lejuar mbylljen e dritares së mundësive para syve të tyre.

“Tani është koha që Serbia dhe Kosova të bien dakord për aneksin e zbatimit, i cili është pjesë integrale e Marrëveshjes dhe të ndajnë një mirëkuptim të qartë se si të zbatojnë dispozitat e tyre. Është koha që liderët e Kosovës, Serbisë dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor të tregojnë guxim dhe të tregojnë përgjegjësi të përbashkët për suksesin e procesit të anëtarësimit në BE të rajonit”- ka shkruar Borrell.

Borrell ka shkruar edhe për rolin e Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, duke theksuar se nuk janë vetëm procesmbajtës.

“BE-ja nuk është një mbajtës i thjeshtë shënimesh dhe as palë në dialog. Ne jemi dhe mbetemi lehtësues në këtë dialog. BE-ja është shtëpia përfundimtare për Serbinë dhe Kosovën”- ka shkruar ai.

“Unë do të vazhdoj të punoj pa u lodhur drejt arritjes eventuale të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve që është e pranueshme për vendet anëtare të BE-së, është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe acquis evropiane dhe kontribuon në stabilitetin rajonal. Marrëveshja në tryezë është një hap i rëndësishëm drejt këtij objektivi”- ka theksuar ai.

Ky shkrim i shefit të diplomacisë evropiane, vie në prag të takimit të Ohërit i cili do të mbahet më 18 mars.

Kryeministri Albin Kurti, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq do të takohen këtë të shtunë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Duke filluar nga ora 10:00, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak do të zhvillojnë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Koha për takimin tilateral nuk është bërë e ditur.

Takimi i Ohrit ishte paralajmëruar më datën 27 shkurt, ku u zhvillua një takim me dakordim për planin franko-gjerman, mirëpo pa marrëveshje të nënshkruar.

Pas këtij takimi, kryeministri Albin Kurti i shpreh se ishte i gatshëm të nënshkruante planin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi i njohur si plani franko-gjerman.

Në anën tjetër presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ishte i gatshëm ta pranonte asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ndërsa, Borrell, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, janë pajtuar për propozimin e BE-së duke shtuar se nuk ka nevojë për diskutime të tjera.

Po atë natë u bë publike edhe përmbajtja 11 pikëshe e planit franko-gjerman i cili ishte përmendur në publik që nga shtatori i vitit të kaluar.

Shumë optimizëm e pak gjasa për marrëveshje në takimin e 18 marsit