
Borrell: E përkrahim liberalizimin e vizave për Kosovën
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se e mbështesin liberalizimin e vizave për Kosovës, pasi që, sipas tij, janë plotësuar kushtet.
“Komisioni Evropian, pjesë e të cilit jam edhe vetë, disa herë ia ka paraqitur Këshillit Evropian se Kosova i ka plotësuar kushtet për liberalizim të vizave. Ne e përkrahim liberalizimin e vizave”, tha Borrell pas një takimi në Bruksel, ku morën pjesë edhe kryediplomatët e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk ka liberalizim të vizave.
Për tri vjet rresht, liberalizimi i vizave për Kosovën ishte kushtëzuar nga BE-ja me ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Por, edhe pse Kuvendi i Kosovës që nga marsi i vitit 2018 e ka ratifikuar këtë marrëveshje, BE-ja ende nuk ka arritur konsensusin e brendshëm për t’ua hequr vizat qytetarëve të Kosovës.