Borrell: Do t’i njoftoj vendet anëtare të BE-së për sjelljen jokonstruktive, kjo vlen veçanërisht për Kosovën

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell ka thënë se do t’i njoftojë vendet anëtare të BE-së, për mos respektimin e detyrimeve nga palët, duke shtuar se “kjo vlen veçanërisht për Kosovën.

“Unë do të informoj Shtetet Anëtare të BE-së, Ministrat e Jashtëm dhe partnerët tanë për sjelljen jokonstruktive të palëve dhe mungesën e plotë të respektimit të detyrimeve të tyre ndërkombëtare ligjore, dhe kjo vlen veçanërisht për Kosovën. Kjo dërgon një sinjal politik shumë negativ” – tha Borrell.

Borrell në një deklaratë për media pas takimit ka thënë se Bashkimi Evropian ka dhënë një propozim sot i cili është refuzuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Sipas tij ky propozim është pranuar nga presidenti serb, Aleksandar Vuciq.

“Për hir të transparencës, ne parashtruam një propozim që mund ta shmangte këtë situatë të rrezikshme. Presidenti Vuçiq e pranoi, por për fat të keq kryeministri Kurti nuk e pranoi. Ne presim që Kosova të suspendojë vendimin për targa””- tha Borrell.

Ai ka thënë se në takim në Bruksel nuk është arritur marrëveshje.

Në Bruksel, pas më shumë se katër orësh ka përfunduar takimi i përbashkët ndërmjet kryediplomatit evropian, Josep Borrell, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ende nuk është deklaruar për takimin mes presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Ndërsa Vuçiq para mediave tha se “Për arsye të paqarta, nuk kemi arritur absolutisht asnjë marrëveshje”.

Sipas Vuçiq, pala serbe është treguar konstruktive në këtë takim.

Takimi u mbajt me ftesë të kryediplomatit evropian, Josep Borrell.

Fillimisht, Borrell ka mbajtur takime ndaras me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott është shprehur i zhgënjyer me mos arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë sot në Bruksel.

Ambasadori i Britanisë së Madhe: Është zhgënjyese që sot nuk është arritur asnjë marrëveshje