Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në takim me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell, 30 janar 2020 | Foto: Zyra e BE-së në Kosovë

Borrell deklaroi se misioni i BE-së ishte angazhuar për arrestimin e Thaçit, por nga PDK i reagojnë ashpër

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell gjatë njw fjalimi në Forumin për Drejtat e Njeriut ka përmendur rastin e ish-presidentit Hashim Thaçi i cili po mbahet në paraburgim në Hagë.

Borrell gjatë fjalimit ka thënë se ish-presidenti i Kosovës, është arrestuar sa ishte president dhe tani është duke pritur gjykimin në Amsterdam.

“Ne po financojmë mekanizma të veçantë për zgjidhjet post-konfliktit dhe këtu dua të përmend Kosovën, Dhomat e Specializuara të Kosovës, për të cilën ish-presidenti i Kosovës tanimë është në Amsterdam duke pritur gjykimin. Misioni ynë policor në Kosovë ishte i angazhuar për ta arrestuar atë derisa ai ishte president dhe e dërguan atë në Amsterdam për t’u përballur me drejtësinë” – tha Borrell.

Deklaratën e Borrell për këtë çështje mund ta ndiqni në videon e bashkangjitur, nga minuta e 41-të.

Ndaj këtyre deklaratave ka pasur reagime në Kosovë.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka thënë se “Gënjeshtrat e Borrellit e vërtetojnë politizimin e procesit gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së”.

“Fillimisht, presidenti Thaçi ka dhënë dorëheqje si President i Republikës së Kosovës për t’u përballur me akuzat kundër tij. Ai asnjëherë nuk është arrestuar, por është vetëdorëzuar! Për më tepër, Dhomat e Specializuara nuk janë mekanizëm i BE-së, por i Kosovës. Deklaratat e Borrellit e dëshmojnë dhe një herë politizimin e skajshëm të procesit gjyqësor, me të cilin po mundohen të krijojnë një balancë artificiale ndërmjet viktimave dhe agresorit” – ka shkruar Çitaku.

Ndërsa, ish-këshilltari i Thaçit, Artan Behrami ka thënë se Thaçi është vetëdorëzuar pasi ka dhënë dorëheqje.

“Fillimisht, presidenti Thaçi ka dhënë dorëheqje si President i Republikës së Kosovës për t’u përballur me akuzat kundër tij. Ai asnjëherë nuk është arrestuar, por është vetëdorëzuar! Pra, është vetëdorëzuar, pasi ka dhënë dorëheqje. Ai nuk është duke u mbajtur në Amsterdam, por në Sheveningen të Hagës” – ka thënë ai duke shtuar se Dhomat e Specializuara nuk janë mekanizëm i BE-së, por i Kosovës.

Behrami i ka quajtur “gënjeshtra skandaloze: deklaratat e Borrellit, të cilat sipas tij dëshmojnë dhe një herë politizimin e procesit gjyqësor.

E deputetja e PDK-së, Blerta Deliu ka thënë se kjo është një dëshmi që Bashkimi Evropian është pozicionuar për një gjyq jo te drejtë.

“Deklaratat e Borrellit janë në linjë me pretendimet skandaloze të Prokurorisë së Dhomave Specializuara të Kosovës.  Një dëshmi që BE-ja tashmë është pozicionuar jo për një gjyq fer dhe të paanshëm të krerëve të UÇK-së, por me pretendimet skandaloze të Prokurorisë” – ka thënë Deliu.

KALLXO.com ka përcjellur pyetje në Gjykatën Speciale dhe është në pritje të përgjigjeve nëse sipas tyre, ish-presidenti Thaçi është vetëdorëzuar apo është arrestuar.

Po ashtu, KALLXO.com ka kërkuar informacione nga Bashkimi Evropian lidhur me këtë deklaratë të Përfaqësuesit të Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe është në pritje të përgjigjeve.

Ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçit i është konfirmuar aktakuza nga Gjykata Speciale më 5 nëntor të vitit 2020.

Thaçi po atë ditë kishte dhënë dorëheqje pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij për krime kundër njerëzimit nga ana e Prokurorisë së Dhomave të Specializuara.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po mbahen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Deri më tani, Gjykata ka refuzuar çdo kërkesë për mbrojtje në liri të ish-krerëve të UÇK-së.

Ata  po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.