Borrell bisedon në telefon me Thaçin, Kurtin e Vuçiqin për emisarin e BE-së për dialogun

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell gjatë ditës së sotme ka zhvilluar tri thirrje të ndara telefonike me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Sipas njoftimit të lëshuar nga zyra e Borrellit, në këto telefonata është diskutuar për zhvillimet pas bisedimeve që ai zhvilloi me ta gjatë vizitës së tij të parë në Beograd dhe Prishtinë në janar.

“Ai diskutoi me ta vendimin për të emëruar një Përfaqësues Special për Dialogun dhe Ballkanin Perëndimor. Përfaqësuesi i Lartë theksoi se ky emërim pasqyron rëndësinë që BE dhe ai personalisht i kushtojnë rajonit dhe stabilizimin dhe përparimin e saj në rrugën e BE”, thuhet në komunikatë.

Tutje në komunikatë thuhet se Borrell i ka siguruar liderët e dy vendeve se ai mbetet i përkushtuar në rrugën evropiane të Ballkanit si dhe në dialogun Kosovë-Serbi.

“Josep Borrell kujtoi se ai mbetet personalisht i angazhuar dhe i përkushtuar fuqimisht për të mbështetur perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe për të luajtur rolin e tij si lehtësues i Dialogut Beograd-Prishtinë”, thuhet tutje aty.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian ka nisur më 2011.

Bisedimet u ndërprenë në fundin e vitit 2018, pasi Qeveria e Kosovës vendosi taksën 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia.BE-ja po ashtu edhe Shtetet e Bashkuara, kanë kërkuar që Kosova të heqë taksën në mënyrë që të nisë dialogu.

Qeveria e re e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti ka thënë se taksa 100 për qind do të hiqet dhe do të zëvendësohet me masën e reciprocitetit.

Së fundmi, i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka kërkuar nga Kosova që të heqë taksën, por pa vendosur reciprocitet dhe në anën tjetër, ka kërkuar nga Serbia që të ndalë fushatën për çnjohjet e pavarësisë së Kosovës.

Borrell: Dialogu rifillon sapo ta caktojmë përfaqësuesin