
Borrell bisedon me Stoltenberg për veriun e Kosovës, presin nga Prishtina që të mos ndërmarrë hapa destabilizues
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka njoftuar se ka biseduar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, për situatën në veri të Kosovës.
Ai ka thënë se bashkë me Stoltenberg janë pajtuar që Prishtina duhet të mos e tensionojë (situatën) dhe të mos ndërmarrë hapa të njëanshëm, destabilizues.
“Ne pajtohemi që Prishtina duhet të shtendosë (situatën) dhe të mos ndërmarrë hapa të njëanshëm, destabilizues. Vlerësoj koordinimin e mirë të vazhdueshëm ndërmjet EULEX në Kosovë dhe misionin e NATO-s, KFOR në sigurimin e një mjedisi të sigurt” – është shprehur Borrell në Twitter.
Spoke to @NATO SG @jensstoltenberg about the situation in north of Kosovo. We agree that Pristina must de-escalate and not take unilateral, destabilising steps. Appreciate the continuous good coordination between @EULEXKosovo and @NATO_KFOR in ensuring a safe & secure environment
— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) May 28, 2023
Edhe Stoltenberg gjatë ditës së sotme pati një reagim për këtë bisedë.
Ai ka thënë se Prishtina dhe Beogradi duhet të angazhohen në dialogun e udhëhequr nga BE.
“E vetmja rrugë drejtë paqes dhe normalizimit. Prishtina duhet të shtendosë situatën dhe të mos ndërmarrë hapa të njëanshëm dhe destabilizues”- ka shkruar Stoltenberg në Twitter.
Sekretari Stoltenberg ka thënë se KFOR-i do të vazhdojë të ofrojë mjedis të sigurt.
Të premten, në komunat e veriut të vendit është dëgjuar alarmi, ndërsa pranë disa objekteve komunale, si në Zveçan e në Zubin Potok, janë parë qytetarë të cilët kanë kundërshtuar futjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.
Pesë policë të Kosovës kanë pësuar lëndime të lehta trupore, pasi janë sulmuar nga protestuesit në Zveçan me mjete të forta dhe shok-bomba, ka konfirmuar Policia e Kosovës.
Kjo situatë nxiti edhe reagimin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili kritikoi Qeverinë e Kosovës për rritje të tensioneve në veri.
Shefi i NATO-s: Prishtina duhet ta de-përshkallëzojë situatën