Shefi për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian Josep Borrell.

Borrell bisedë telefonike me Blinkenin, diskutojnë për takimin në Ohër

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Sipas një komunikate për media të BE-së, diskutimi i tyre u përqendrua në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë të dialogut të ndërmjetësuar nga BE midis Kosovës dhe Serbisë të shtunën në Ohër, situatën në Etiopi dhe përgatitjet për Këshillin e Energjisë BE-SHBA muajin e ardhshëm.

“Borrell e informoi Sekretarin Blinken për zhvillimet e fundit lidhur me procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nënvizoi pritshmëritë e tij për takimin e Ohrit dhe theksoi rëndësinë e progresit në dialog për aspiratat evropiane të të dyja palëve”- thuhet në komunikatë.

Sipas njoftimit, Borrell ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të qartë të SHBA-së për përpjekjet e BE-së, veçanërisht për marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Ai vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të qartë të SHBA-së për përpjekjet e BE-së, veçanërisht për Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe për procesin në prag të takimit të nivelit të lartë që Përfaqësuesi i Lartë po takohet me Presidentin Vuçiq dhe Kryeministrin Kurti këtë të shtunë”- thuhet në komunikatë.

Më tej, BE bën të ditur se edhe Borrell por edhe Blinken janë dakorduar se ky është momenti i duhur për të bërë hapa të rëndësishëm përpara në interes të integrimit të Kosovës dhe Serbisë në BE.

Kryeministri kosovar, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pritet të takohen nesër në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Në këtë rund bisedimesh, palët pritet të bisedojnë për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve. Kosova dhe Serbia e kanë pranuar këtë propozim më 27 shkurt.

BE-ja ka thënë se Asociacioni është kushti kryesor për zbatimin e propozimit evropian.

Ndërkaq, Escobar gjatë konferencës për media në Beograd më 16 mars, tha se formimi i Asociacionit është më afër sesa ishte një muaj më parë.

Ndryshe, në propozimin evropian për normalizim, që përbëhet nga 11 nene, nuk janë përmendur në mënyrë eksplicite as marrëveshjet për themelimin e Asociacionit, e as njohja e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.

Megjithatë, në nenin 2 të propozimit përmendet që palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.