Shefi për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian Josep Borrell.

Borrell: Bashkimi Evropian duhet të bëhet gati për pesë milionë refugjatë nga Ukraina

Bashkimi Evropian duhet të përgatitet për pesë milionë refugjatë nga Ukraina, u tha gazetarëve të hënën shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, përpara një takimi të ministrave të Jashtëm evropianë në Montpellier, Francë.

“Ne duhet të jemi të përgatitur për t’i pritur pesë milionë njerëz. Ne e dimë se me krizën siriane në vitet 2015-16, që ishte kriza e emigrantëve në Evropë, ne po flisnim për 1.5 milion njerëz; tani do të jetë shumë më tepër”, deklaroi Borrell.

Borrell tutje shtoi se BE-ja duhet ta mobilizojë jo vetëm ndihmën humanitare, por edhe burimet e bllokut të BE-së për t’i mbështetur vendet e BE-së në kufi me Ukrainën, për të pritur refugjatë.

Të dielën, komisioneri i Agjencisë së Refugjatëve të OKB-së, Filippo Grandi tha se më shumë se 1.5 milion refugjatë nga Ukraina kishin kaluar në vendet fqinje në 10 ditë, duke e përshkruar situatën si “kriza e refugjatëve me rritjen më të shpejtë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala