Boris Johnson - Foto: Atdhe Mulla

Boris Johnson telefonon Vuçiqin, mbështet vendimin e Kurtit

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, ka përshëndetur vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që nga 15 marsi të hiqen tarifat ndaj mallrave serbe për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Në një njoftim të qeverisë britanike thuhet se Johnson ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin serb, Alkesandar Vuçiq ku ka biseduar edhe për këtë çështje.

“Kryeministri (Boris Johnson) foli pasditen e sotme me Presidentin Vuçiq të Serbisë. Të dy liderët ranë dakord për rëndësinë e marrëdhënies Mbretëri e bashkuar – Serbi dhe Kryeministri tha që ai mezi pret ndërtimin e miqësisë midis vendeve tona”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet po ashtu, që shteti britanik do të vazhdojë të kërkoj që tarifat e Kosovës ndaj mallrave serbe të hiqen krejtësisht.

“Kryeministri mbështeti rifillimin e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës. Ai përshëndeti tërheqjen e pjesshme të tarifave të mallrave nga Serbia dhe inkurajoi një përgjigje pozitive (nga Serbia). Ai tha se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të bëjë presion për një ngritje të plotë të tarifave”, thuhet në njoftim.

Dje, kryeministri kosovar, Albin Kurti, njoftoi për heqjen e tarifës nga 15 marsi për lëndën e parë që vjen nga Serbia.

Këtë vendim e ka përshëndetur edhe Bashkimi Evropian ndërsa e ka kundërshtuar emisari amerikan për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell.