Josep Borrell - Foto: Facebook/ Josep Borrell

Borell: Vizita ime e parë do të jetë në Prishtinë

Kandidati për Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë dhe Nënkryetari i Komisionit Evropian, Josep Borrell, deklaroi sot se udhëtimi i tij i parë në këtë rol do të jetë në Prishtinë, raporton EuropeanWesternBalkans.

Gjatë seancës dëgjimore përpara Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET), Borrell deklaroi se status quo në raportet Kosovë- Serbi është e paqëndrueshme dhe se Bashkimi Evropian do të marrë dialogun ndërmjet dy vendeve me një konsideratë më të lartë se më parë.

Ai gjithashtu theksoi se Kosova duhet ta heqë tarifën ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, dhe se Serbia duhet të përfshihet në dialog më sinqerisht.

“Ne ndryshojmë në çështjen e njohjes, por jemi të bashkuar në bashkëpunim”, tha diplomati Borrell i cili në kohën kur mbante postin e ministrit të jashtëm të Spanjës ka qenë kundërshtar i fuqishëm e pavarësisë së Kosovës.

Përgatiti: Senad Durguti