Shefi për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian Josep Borrell.

Borell informon ministrat e jashtëm të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, do t’i informojë ministrat e jashtëm tё shteteve anëtare tё Bashkimit Evropian për hapat e ardhshëm në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili ka thënë se takimi do të mbahet sot.

“Borrel do të informojë sot ministrat e jashtëm evropianë për hapat e ardhshëm në procesin e dialogut dhe do të informohemi më shumë në konferencë për media pas takimit” – ka thënë Stano para gazetarëve.

Nё takimin ministror Josep Borell pritet t’i informojë ministrat për vizitën e javës së kaluar tё zhvilluar në Prishtinë dhe Beograd nga njё delegacion i përberë nga pesë emisarët ndërkombëtarë për dialog.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak, emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar dhe këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne dhe këshilltari diplomatik të Kryeministrit të Italisë, Francesco Maria Talò, janë takuar të premten me kryeministrin e vendit, Albin Kurti.

Pas më shumë se dy orëve takim, i dërguari i posaçëm i Bashkimi Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se “takimi nuk ishte i lehtë, por ishte shumë i sinqertë dhe i hapur”.

Lajçak tha se qëllimi i takimit mes Kurtit dhe pesë emisarëve ndërkombëtarë, ishte diskutimi i propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Qëllimi i këtij takimi me kryeministrin Kurti ishte për të diskutuar propozimin për normalizim që ju prezantua në shtator dhe më pas në dhjetor. Kaluam më shumë se dy orë me kryeministrin, gjë që tregon se takimi ishte i gjatë, nuk ishte i lehtë, por ishte shumë i sinqertë dhe i hapur”- ka thënë ai.

Vizita i pasoi kërkesave dhe zhvillimeve për dinamizim të procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, drejt një marrëveshjeje finale mes të dyja vendeve.