Shefi për diplomaci i bllokut evropian, Josep Borrell.

Borell: BE do të flasë me talebanët, por nuk do ta njohë qeverinë e tyre

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian janë dakorduar mbi nevojën për të qenë pjesë e bisedimeve me talebanët, por nuk kanë pranuar zyrtarisht njohjen e qeverisë së re.

Në një takim në Slloveni, shefi i politikës së jashtme të BE-së Joseph Borrell ka deklaruar se tani për tani kjo është e nevojshme dhe se një prani në terren në Afganistan duhet të rivendoset.

“Ne do të duhet të komunikojmë me qeverinë e re në Afganistan, në mënyrë që të mbështesim popullsinë afgane, e një angazhim i tillë nuk nënkupton njohjen e qeverisë atje por është një angazhim operacional”, u tha Borrell gazetarëve ditën e premte.

Sipas BE-së, bashkëpunimi varet nga përmbushja e pesë kushteve nga talebanët, përfshirë parandalimin e eksportit të terrorizmit, respektimin e të drejtave të njeriut, krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse, lejimin e qasjes në ndihma humanitare dhe lejimin e largimeve të civilëve afganë dhe evropianë që dëshirojnë të largohen prej atje.

Kur grupi konservator islamik e mori kontrollin mbi Afganistanin muajin e kaluar, BE dhe shumë vende perëndimore u përcaktuan për mbylljen e ambasadave në Afganistan, duke kufizuar ndikimin e tyre në çdo administratë të re.

Mirëpo tani, Brukseli po ndryshon qëndrimin e tij, ndërkohë që mbetet i kujdesshëm në lidhje me njohjen zyrtare të talebanëve, si dhe për atë se sa e besueshme do të jetë qeveria e re.

Megjithatë, ai shpreson ta mbajë të sigurt çdo qytetar evropian që mbetet në Afganistan dhe ta parandalojë një fluks të ri të madh emigrantësh që vijnë në kufijtë e BE-së.