Bordi i ZRRE-së, Foto: Facebook

Bordi i ZRrE-së mban mbledhje, merr disa vendime

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë ka mbajtur mbledhje pasi u kompletua me anëtarët e rinj. Kjo ishte mbledhja e parë e bordit në këtë institucion për vitin 2021.

Sipas një njoftimi për media, në rend dite ishin 70 pika ndërsa u morën edhe disa vendime.

“Pjesë e shqyrtimit nga Bordi kanë qenë mbi shtatëdhjetë (70) pika prej të cilave, pas shqyrtimit, janë licencuar shtatë (7) furnizues me shumicë/tregtim dhe një furnizues për furnizim me energji elektrike me pakicë”, thuhet në njoftim.

“Bordi ka lëshuar 29 autorizime për ndërtim/instalim të paneleve solare për vet-konsum të konsumatorëve, në një kapacitet të përgjithshëm prej rreth 1 MË. Me lëshimin e këtyre autorizimeve është arritur një numër prej rreth 120 konsumatorëve vetprodhues të energjisë elektrike, me një kapacitet të përgjithshëm prej 2876.77 kw”, njofton zyra për medie e ZRrE-së.

Ky institucion rregullator ka njoftuar se ka refuzuar një kërkesë të KOSTT-it.

“Pjesë e shqyrtimit nga Bordi i ZRRE ka qenë edhe kërkesa e KOSTT SH.A., për derogim të përpilimit të Bilancit Afatgjatë të Energjisë Elektrike dhe Planit të Adekuacisë së Gjenerimit, dokumente këto që ndërlidhen me Strategjinë e Energjisë e cila është në proces të rishikimit. Bordi ka vendosur që të refuzoj kërkesën e KOSTT dhe ka kërkuar që të vazhdohet të shfrytëzohen dokumentet dhe strategjitë në fuqi pasi që nuk ka ndonjë dispozitë ligjore e cila mundëson derogimin nga përgatitja e këtyre dokumenteve”, thuhet tutje në njoftim.

Bordi i ZRRE-së gjithashtu ka shqyrtuar edhe 26 ankesa të konsumatorëve si dhe çështje të tjera që ndërlidhen me funksionimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji.

ZRRE njoftoi se të gjitha vendimet do të publikohen në ueb faqen zyrtare ndërsa në fund njftoi edhe për kompletimin e bordit.

“Me emërimet e reja, nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, të kryesuesit të Bordit, z. Ymer Fejzullahu dhe dy anëtarëve të rinj znj. Lutfije Dervishi dhe z. Gani Bucaj,  Bordi i ZRRE-së është plotësuar dhe funksionalizuar në përbërje të plotë prej  5 anëtarëve”, thuhet në njoftim.