Logo e NP KRU" Prishtina"

Bordi i Ujësjellësit "Prishtina" shpall konkurs për kryeshef ekzekutiv dhe zyrtar kryesor financiar

Bordi i përkohshëm i KRU “Prishtina”, i emëruar nga Qeveria Kurti, ka shpallur konkurs për kryeshef ekzekutiv dhe zyrtar kryesor financiar.

Ditë më parë, bordi i përkohshëm i kryesuar nga Mentor Hyseni ka shkarkuar Kapllan Parduzin nga pozita e ushtruesit të detyrës të kryeshefit ekzekutiv dhe Sokol Durakun nga pozita e zyrtarit kryesor financiar të kësaj kompanie.

Pas shkarkimit të Parduzit dhe Durakut, bordi ka emëruar Sokol Xhafën si ushtrues detyre të kryeshefit ekzekutiv dhe Remzi Llumnicën si ushtrues detyre të zyrtarit kryesor financiar.

Disa ditë pas shkarkimit të zyrtarëve kryesorë të KRU “Prishtina”, bordi i përkohshëm ka shpallur konkurs për të plotësuar këto dy pozita më 17 prill.

Për pozitën kryeshef ekzekutiv dhe zyrtar kryesor financiar, bordi i drejtorëve dëshiron të sigurohet që të gjithë kandidatët potencialë të jenë persona me integritet të njohur, të cilët i plotësojnë kushtet e kualifikimit sipas nenit 17.1 si dhe plotësojnë kriteret e pavarësisë sipas nenit 17.2 pika (d), (f), (k) dhe (l) të Ligjit për Ndërmarrje Publike.

Nga kandidatët për pozitën e kryeshefit ekzekutiv është kërkuar që të kenë diplomë universitare nga fusha ekonomike, juridike, teknike, shoqërore ose të ngjashme.

Kandidatët që ia mësyjnë kësaj pozite duhet të kenë së paku 5 vite përvojë menaxheriale në institucione shtetërore ose ndërmarrje publike, duke përfshirë përvojë të konsiderueshme në nivel menaxherial dhe profesional.

Kushtet e konkursit janë që edhe kandidatët të kenë integritet të lartë moral dhe profesional, të kenë aftësi të dëshmuara në menaxhim, njohja e gjuhëve të huaja është përparësi për ta, të mos jenë të dënuar ose nën hetime (të jetë më re se 6 muaj) ose dëshmi për të kaluarën kriminale (të jetë jo më e vjetër se 6 muaj).

Disa nga detyrat dhe përgjegjësitë për pozitën e kryeshefit ekzekutiv të KRU “Prishtina” janë të menaxhojë kompaninë në baza ditore në pajtim me aktet ligjore dhe politikat e kompanisë, të mbështes punën e bordit të drejtorëve me anë të propozimeve lidhur me politikat dhe vendimet që do t’i marrë bordi, të propozojë buxhetin vjetor për aprovim te bordi i drejtorëve, si dhe me kompetencë të menaxhojë resurset financiare të kompanisë brenda ligjeve dhe rregulloreve të aplikueshme.

Sa i përket pozitës zyrtar kryesor financiar, bordi ka kërkuar që kandidatët të kenë përgatitje superiore, së paku ekonomist i diplomuar, të kenë së paku 5 vjet përvojë pune në menaxhim të dëshmuar në financa publike, të kenë integritet të lartë moral dhe profesional, të kenë aftësi të dëshmuara në menaxhim, njohja e gjuhëve të huaja është përparësi për ta.

Në konkurs është kërkuar që kandidatët të jenë kontabilistë të certifikuar.

Gjithashtu është kërkuar që mos të jenë të dënuar ose nën hetime (certifikata të jetë më re se 6 muaj) ose dëshmi për të kaluarën kriminale (të jetë jo më e vjetër se 6 muaj).

Detyrat dhe përgjegjësitë e zyrtarit kryesor financiar është që të menaxhojë nën drejtimin dhe mbikëqyrjen e KE, çështjet financiare të kompanisë, varësisht prej kufizimeve të vëna nga bordi i drejtorëve, të mirëmbajë llogaritë e kompanisë të aranzhuara dhe të sakta.

Detyrë e zyrtarit është edhe themelimi dhe udhëheqja e të gjitha kontrolleve të brendshme financiare, duke përfshirë blerjet, pranimet e parave të gatshme në financa publike, të monitorojë llogaritë e pagueshme dhe të koordinojë pagesën e faturave dhe blerjet speciale si dhe të përgatisë të dhënat e kompanisë për auditim në fund të vitit.

Kandidatët e interesuar për këto pozita duhet të dorëzojnë aplikacionin me këto dokumente, CV-në, kopjen e letërnjoftimit, letrën e motivimit, deklaratën nën betim, diplomën e fakultetit – kopje, të mos jetë i dënuar ose nën hetime (certifikata të jetë më re se 6 muaj) dhe dëshminë për të kaluarën kriminale (të jetë jo më e vjetër se 6 muaj)

Konkursi për të dy pozitat është shpallur më 17 prill 2020 dhe do të jetë i hapur së paku deri më 18 maj 2020.