Logo e NP KRU" Prishtina"

Bordi i Ujësjellësit "Prishtina" e dërgon në Polici raportin e Auditorit për këtë ndërmarrje

Kompania Rajonale Ujësjellësi “Prishtina” e ka dërguar në Policinë e Kosovës përkatësisht në departamentin e Krimeve Ekonomike raportin e auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për këtë institucion për hetime të mëtutjeshme.

Kryesuesja e bordit të përkohshëm të KRU “Prishtina”, Nora Tafarshiku Kurtishi ka thënë për KALLXO.com se nuk mund të japë detaje pasi që tashmë kanë filluar disa procedura.

“Tash nuk mund të flas pasi që veç kanë filluar disa procedura dhe nuk mund të them diçka më tutje. Diçka ka filluar po, është fjala për auditim të jashtëm. Është dërguar për të gjeturat e Auditorit”, tha ajo.

Në shkresën e siguruar nga KALLXO.com thuhet se gjetjet e dërguara në departamentin e Krimeve Ekonomike kanë të bëjnë edhe me raportet e auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitet 2018 dhe 2019.

Ndërkaq Bordi i Përkohshëm ka kërkuar hetime dhe për raportet e auditimit të brendshëm dhe raportet e menaxhmentit.

Regjistrimi i aseteve, granteve, mosharmonizimi i regjistrave në kontabilitet, mosbarazimet në llogaritë e arkëtueshme dhe çështjet e afatizimeve në banka janë disa nga parregullsitë që i ka paraqitur bordi i përkohshëm i KRU Prishtinës.

Raporti i auditimit nga Zyra Kombëtare për vitin 2020 kishte dhënë opinion të kundërt për KRU “Prishtina” për shkak të gjetjeve të shumta.

ZKA kishte gjetur se KRU Prishtina kishte paguar 207 mijë e 466 euro si ndëshkim për vonesat në realizimin e një projekti.

Në raportin e auditimit gjithashtu thuhet se kjo kompani kishte kryer pagesa të shpenzimeve pa miratimin e Komunës së Prishtinës.

ZKA kishte konstatuar se pa të drejtë ligjore KRU Prishtina kishte kompensuar me ndihmë financiare anëtarët e bordit që e drejton atë.

Në raportin e auditimit është gjetur se KRU Prishtina nuk kishte prezantuar saktë pasqyrat e rrjedhës së parasë gjatë vitit 2020.

*Artikulli është përditësuar më 14 tetor 2021, në ora 16:40, me të dhënat nga shkresa e dërguar nga bordi i KRU Prishtinës në Njësinë e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës.