Foto: KALLXO.com

Bordi i Telekomit: Policia nuk ishte në ndërtesë për neve, por për Postën

Bordi i Përkohshëm i Telekomit të Kosovës ka dhënë sqarime në lidhje me anulimin e mbledhjes së bordit dhe për forcat policore në oborrin e Telekomit.

Sipas tyre kjo mbledhje është anuluar për shkak të probleme teknike që bordi i ka hasur gjatë mbledhjes, të cilat kanë pamundësuar mbajtjen e një video-konference për anëtarët që kanë kufizime të lëvizjes.

Po ashtu, në sqarimin e bordit thuhet që Telekomi shfrytëzon hapësirat e postës dhe opinioni publik ka keqkuptuar në lidhje me praninë e formave policore, të cilat sipas tyre kanë qenë vetëm për Postën e Kosovës dhe jo Telekomin.

Sqarimi i plotë:

Sot gjatë ditës ka pasur paqartësi në lidhje me forcat policore të cilat në masë të madhe kanë qenë prezent rreth objektit qendror të Postës së Kosovës.

Ky objekt është në shfrytëzim në pjesën më të madhe të tij nga ne, Telekomi i Kosovës.

Sqarim:

Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës është e vërtetë sa ka pasur të planifikuar një mbledhje të rregullt për sot, e njëjta është anuluar për arsyet si në vijim:

  1. Fillimisht kemi pasur probleme teknike që na ka pamundësuar fillimin e mbledhjes me video konferencë (për anëtarët të cilët kanë kufizime të lëvizjes për shkak të COVID-19)
  2. Duke tentuar t’i rregullojmë këto probleme teknike jemi informuar për forcat policore që gjenden jashtë objektit dhe në atë moment pa hezitim kemi vendosur për anulimin e mbledhjes së rregullt të Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve.

Menjëherë kemi kërkuar sqarim nga ministria e linjës dhe jemi informuar se forcat policore kanë qenë për Postën e Kosovës, fatkeqësisht kjo është keqkuptuar nga opinioni publik, marrë parasysh që Telekomi i Kosovës i shfrytëzon me qira hapësirat e Postës së Kosovës.

Edhe njëherë dëshirojmë të potencojmë se forcat policore nuk kanë pasur asnjë lidhje me mbledhjen e sotme të bordit ose të ndonjë aktiviteti brenda Telekomit të Kosovës.

Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve siguron opinionin dhe çdo punonjës se puna e tyre do të vazhdojë.