Ndarja e Z-Mobile dhe Telekomi i Kosovës Grafika: Krenar Ferizi

Bordi i Telekomit jep dorëheqje, pasi përmbaruesi ia zbrazi llogarinë kompanisë

Bordi i Përkohshëm i Telekomit të Kosovës ka dhënë dorëheqje pas vendimit për tërheqjen e 26 milionë eurove nga llogaria e kompanisë publike.

Pas bllokimit të xhirrollogarisë së Telekommit, milionat e kompanisë publike kanë shkuar në llogari të kompanisë “Dardaphone.net”.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar njëri prej tashmë ish-anëtarëve të Bordit të Përkohshëm të Telekomit.

Lahmi Balaj, kryetar i Sindikatës së Telekomit, ka konfirmuar se përmbaruesi ka tërhequr paratë nga xhirollogaria e Telekomit të Kosovës.

Balaj këtë veprim e ka quajtur qyqarë, i cili i lë pa paga 3500 punëtorë.

Ai në një postim në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se nuk do të dorëzohen kurrë.

“Veprimi dhe guximi i sotëm i Blerim Devollit dhe Ilir Mulhaxhës për tërheqjen e komplet mjete nga xhirollogaria e Telekomit është i mjerë dhe qyqarë”, ka shkruar ai.

“Sot praktikisht kanë mbetë pa paga 3500 punëtore me familjet e tyre si dhe është rrezikuar në thelb siguria kombëtare e komunikimit. Një gjë mund t’ju sigurojmë se, kurrë nuk kthehet në Telekom Z-Mobile edhe nëse Shteti ju është dorëzuar Dardafon-it, ne së bashku me juve miq dhe punëtorë nuk do të dorëzohemi. Shihemi të enjten…! Telekomi është i popullit të Kosovës!”, ka shkruar Balaj në Facebook.