Mbledhja e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere. Foto: KALLXO.com

Bordi i RTK-së raporton në Kuvend për shpenzimet e tre mujorit të fundit të 2022-tës

Me 1 orë vonesë Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka filluar mbledhjen e sotme ku është shqyrtuar raporti i shpenzimeve të Radio Televizionit të Kosovës për periudhën tetor- dhjetor 2022. Kjo për shkak të vonesës së deputetit Avdullah Hoti nga LDK dhe deputetes Duda Balje.

Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini ka thënë se në tre mujorin e 4-të të 2022- të, RTK-ja ka pasur rritje të të hyrave.

Sipas Boletinit në këtë rritje ka pasur ndikim edhe Kampionati Botëror i Futbollit që është transmetuar në Radiotelevizionin publik.

“Në këtë tremujor të katërt 87.6% të hyrave kanë qenë nga buxheti, do të thotë nga Kuvendi i Kosovës. Të hyrat nga marketingu kanë gjeneru 10.3% ndërsa të hyrat tjera kanë qenë 2.5%. Në këtë periudhë tremujore kemi paraparë të hyra mbi 2 milionë e 500 mijë eurove dhe në këtë periudhë raportuese kemi realizuar 41 mijë euro me shumë të hyra. Kemi pasur rritje të hyrave në këtë tre mujor ka pasë ndikim sigurisht Kampionati Botëror”- ka thënë ai.

Ndërsa, anëtari i bordit të RTK-së, Driton Hetemi tha se të hyrat janë rritur për shkak të Kampionatit botëror për arsye se ka pasur interesim më të madh nga bizneset që të reklamojnë.

“Nuk janë të pasqyruara të gjitha (të hyrat) sepse disa fatura janë duke u pagu”- ka thënë ai.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka kërkuar nga Bordi i RTK-së të dijë se ku është përmirësuar programi i RTK-së.

“Për aq kohë sa i raportoni këto hapësira reklamuese me kompensim nuk ka asnjë fakt që mundet me më bind mua apo dikë tjetër që e keni marrë vlerën më të mirë të tregut. Çka më intereson më fund është se jo sa cent i keni zvogëlua shpenzimet, ajo është e rëndësishme, por mua më intereson ku është përmirësu programi i RTK-së, a është rrit shikueshmëria, cila është pozita e RTK-së në Kosovë, sa njerëz ju shohin juve në mbrëmje, në ora tetë, e në rrjete sociale pra sa është përmirësu performanca e mediumit publik kjo është e rëndësishme” – ka thënë Hoti.

“Po na tregoni të njëjtat përralla prej se jeni zgjedh nuk mundeni me vazhdua kështu”- u është drejtuar Hoti bordit të RTK-së.

Lidhur me këtë, kryetari i Bordit, Besnik Boletini, ka thënë se buxheti aktual i ndarë për RTK-në, është “sa për mos u mbyll mediumi”.

“Sa i përket programit nuk ju kam dëgju ndonjëherë juve duke e ngritë zërin për mjete më pak që i kemi pasë në vitin paraprak, mbase më ka ikë si prononcim. Kur flasim për program ne kemi 2 milionë euro më pak, këtu determinohet edhe programi, ky buxhet është sa me mbete gjallë të themi sa me funksionu RTK që mos me mshelë”- është shprehur ai.

Pas diskutimeve, Komisioni për Buxhet Punë dhe Transfere ka miratuar raportin e tremujorit të fundit të vitit 2022 të RTK-së.