Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bordi i RTK-së: Për herë të parë pas një dekade, RTK nuk ka dalë në minus

Radiotelevizioni i Kosovës për herë të parë në një dekade nuk ka dalë në minus në tremujorin e parë të vitit. Kështu tha kryetari i bordit të RTK-së, Besnik Boletini, gjatë raportimit para Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Boletini gjatë raportimit tha se gjatë tremujorit të parë të vitit 2022 kanë arritur të kursejnë rreth 70 mijë euro ndërsa shtoi se janë bërë ulje të pagave tek disa menaxherë të linjave dhe shpenzimeve.

“Kemi arritur të eliminojmë shpenzimet, nuk ka më si përpara kur një peshk ka kushtuar mbi 30 euro. Ndër vendimet e para ka qenë edhe ndalimi i përdorimit të veturave zyrtare për lëvizjet në më pak se një kilometër lëvizje. Kursimet janë bërë edhe nga pagat, disa kanë dalë në pension ndërsa të tjerëve iu është shkëputur kontrata me shërbime”, tha ai.

Ai theksoi se pritet të bëhën investime në infrastrukturën e mediumit publik, pasi siç tha Boletini, “gazetarët janë duke e kryer punën e tyre në ‘baraka’’’.

Më tej, Boletini tha se gjendja financiare e RTK-së është e rëndë duke marrë parasysh mbi 1.5 milion euro borxhe.