Bordi i RTK-së nuk arrin të emërojë ushtruesin e detyrës të drejtorit të përgjithshëm
Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës nuk ka arritur që të emërojë ushtruesin e detyrës së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së.
RTK është pa udhëheqës kryesor të menaxhmentit pas dorëheqjes së zëvendësdrejtorit të përgjithshëm, Adi Krasta, më 28.10.2024 dhe dorëheqjes së drejtorit të përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj, më 23.05.2024.
“Bordi i Radio Televizionit të Kosovës mbajti sot mbledhje të jashtëzakonshme për të emëruar ushtruesin e detyrës së Drejtorit të përgjithshëm, ku, me gjashtë (6) vota për dhe një (1) votë kundër, nuk arriti të emërojë ushtruesin e detyrës së Drejtorit të përgjithshëm të RTK-së” – thuhet në njoftimin e Bordit.
Sipas Ligjit për RTK-në, emërimi dhe shkarkimi i drejtorit të përgjithshëm bëhet me shumicë te thjeshtë të votave 2/3, që do të thotë 7 nga 11 anëtarë gjithsej. Mirëpo, ky bord aktualisht ka vetëm 7 anëtarë.
Bordi i RTK-së ka thënë se me seriozitet të lartë do të shqyrtojnë të gjitha mundësitë ligjore dhe institucionale për të gjetur një zgjidhje që të sigurojë funksionimin menaxherial të RTK-së në përputhje me rregullativën ligjore.
Sipas Ligjit për RTK-në, drejtori i përgjithshëm ndër të tjera menaxhon veprimtarinë e RTK-së, duke marrë vendime për çështjet e organizimit, financave dhe pagave sipas kritereve të përcaktuara nga bordi i RTK-së, si dhe përfaqëson RTK-në brenda dhe jashtë vendit.
Pas dorëheqjes së Ahmetxhekajt, u.d. drejtoreshë ishte emëruar Zana Spahiu, por edhe ajo u dorëhoq pas rreth dy javësh prej kur ishte emëruar.