Bordi i Postës së Kosovës: Do t’i rrisim edhe çmimet edhe shërbimet

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Hajdar Beqa në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka pyetur zyrtarët e Postës së Kosovës në lidhje me borxhin ndaj “Iute Credit”.

“Posta ka marrë në huazim mjete në mirëbesim të ‘Iute Credit’. A ka pasur të drejtë kompania për këtë borxh”?, ka pyetur Beqa.

Po ashtu ai pyetur se si do të zgjidhet situata financiare, a do të rriten çmimet apo shërbimet nga Posta e Kosovës?

Kryesuesja e bordit të PTK-së Safija Beseni tha që për borxhin te “Iute Credit” nuk mund të flasë për shkak se është ende herët dhe se janë bord i përkohshëm.

Kryesuesja shtoi po ashtu se do të rriten të dyjat, edhe çmimet edhe shërbimet.

“Kemi bërë kërkesë që të rriten shërbimet se janë shumë të ulëta. Do t’i rrisim edhe çmimet por që nuk do të ndikojnë shumë të qytetarët. Kërkesa jonë është minimale”, tha ajo.

U.D i kryeshefit të Postës, Rafet Jashari shtoi se nga rritja e çmimeve nuk do të rrezikohen qytetarët.

“Ne jemi bazuar në çmimet e operatorëve privat. Do t’i rrisim çmimet komerciale ndërsa do t’i rrisim çmimet universale. Nuk do të rrezikohen qytetarët”, tha ai.

Kryesuesja e Komisionit deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës Hykmete Bajrami tha se qytetarët e zgjedhin operatorët privat për shkak se Posta e Kosovës nuk bën dërgesa në shtëpitë e konsumatorëve.

Sipas saj këtë e bëjnë operatorët privat dhe se nga Posta e Kosovës marrin vetëm një sms apo një copë letër dhe vet duhet të shkojnë e t’i marrin porositë.

Bajrami në fund po ashtu tha që çështja e pronave të postës është shqetësuese dhe se duhet të ngritën në nivel të dialogut.