
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Bordi i Postës: Nuk është rritur asnjë pagë e zyrtarëve të lartë
Bordi i përkohshëm i drejtorëve të Postës së Kosovës me anë të një njoftimi ka thënë se nuk kanë rritur asnjë pagë të asnjë zyrtari të lartë.
Bordi thotë se janë zbritur kompensimet e zyrtarëve të lartë nën pagat e vartësve të tyre.
“Për hir të së vërtetës, Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të Postës së Kosovës nuk ka rritur asnjë pagë të askujt dhe as të zyrtarëve të Lartë. Por, që e ka gjetur një gjendje pa ligjshmërie nga ish Bordi i Përkohshëm deri më 1 tetor 2020 me motive që ata i dinë kishte prishur hierarkinë e përgjegjësisë ligjore dhe llogaridhënëse, duke zbritur kompensimin e zyrtarëve të Lartë nën pagat e vartësve të tyre”, thuhet në njoftimin e Postës së Kosovës.
Tutje në njoftim thuhet se kanë planifikuar nivel të ri të koeficientit për disa grada.
“Bordi i Përkohshëm i Postës, në kuadër të reduktimit të shpenzimeve ka planifikuar nivelin e ri të koeficienteve, duke filluar nga grada 17 e zyrtarëve të lartë, deri te grada 1 tek punëtori i terrenit”, thotë Posta.
Sipas njoftimit në mbledhjen e radhës bordi do të aprovojë planin e biznesit për tre vitet e ardhshme.
“Bordi i Përkohshëm i Postës së Kosovës, nuk ka pasur asnjë mundësi të filloi zbatimin dhe nivelin e ri të Biznes Planit për vitin 2021, pa e kthyer rregullsinë ku eprori paguhet më shumë se vartësi. Bordi, në mbledhjen e radhës do të aprovoi Biznes Planin 2021 – 2023 dhe aty do të reduktohen shpenzimet e stafit sipas standardeve, praktikave dhe përgjegjësisë nga zyrtarët e Lartë grada 17 deri në gradën 1. Zbritja e pagave do të hyjë në fuqi nga 1 janar 2021”, vazhdon njoftimi.
Gjithashtu, ky njoftim i Postës erdhi pas disa raportimeve në media se kryeshefit të Postës i është rritur paga.
“Titujt e mediave me tendenca dhe për të kënaqur egon e disa grupeve që kanë humbur privilegjet, nuk ndikojnë në punën dhe vendimet e Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve dhe Menaxhmentit të Postës së Kosovës”, thuhet në fund të njoftimit.