Bordi i Përkohshëm i Telekomit pezullon përmbarimin deri në stabilizim financiar

Bordi i Përkohshëm i Telekomit të Kosovës  i kryesuar nga Mehmet Berisha, ka njoftuar se kanë pezulluar përmbarimin e mjeteve financiare deri në stabilizim financiar.

Sipas tyre  kanë arritur pajtimin për pezullim të përmbarimit të mjeteve të Telekomit për një afat të pa caktuar, deri në stabilizimin e gjendjes ekonomike të kësaj kompanie publike.

“Në biseda të ndara, me kreditorët si dhe me Përmbaruesin Privat dhe me përfaqësuesit e ATK-së, u arritën marrëveshje të zhbllokohen llogaritë bankare. Me Administraten Tatimore janë dakorduar modalitetet e marrëveshjes, ndërsa ristrukturimet/riprogramimet e borxheve të tjera do të bëhen muajt në vijim pas stabilizimit të gjendjes financiare” thuhet në njoftim.

Në bazë të njoftimit,  Bordi i ri Menaxhues me të marrë detyrën ka pranuar informatat e përgjithshme nga Menaxhmenti i Telekomit, ka analizuar situatën emergjente financiare, operative të korporatës dhe menjëherë si mase emergjente ka takuar kreditoret më të mëdhenj dhe përmbaruesin, duke kërkuar nga kreditorët mirëkuptim për gjendjen në të cilën ndodhet aktualisht Telekomi i Kosovës.

Bordi i përkohshëm i Drejtorëve ka falënderuar të gjitha palët në proces, Qeverinë dhe Ministrinë e linjës, Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, për mbështetjen e  Telekomit të Kosovës, njohjen dhe mbrojtjen e interesave të kreditorëve të kësaj kompanie publike.

Qeveria e Kosovës para një jave ka emëruar Bordin e përkohshëm të drejtorëve Telekomit të Kosovës i cili përbëhet nga Mehmet Berisha – kryesues, Kushtrim Krasniqi – anëtar, Teki Shala -anëtar dhe Blerim Shehu- anëtar.

Me 15 korrik i ishin bllokuar llogaritë e Telekomit, pasi Gjykata Themelore në Prishtinë ia kishte njohur të drejtën kompanisë “Dardafone.net LLC” për përmbarimit (realizimin) e borxhit milionësh duke ia refuzuar prapësimin (kundërshtimin) e parashtruar nga Telekomi i Kosovës.