Bordi i Përkohshëm i Postës anuloi vendimin për rritje pagash

Bordi i Përkohshëm i Ndërmarrjes Publike Posta e Kosovës ka shfuqizuar një vendim të cilin e mori vetëm pak ditë më parë.

Në vendimin e Bordit, që mbante datën 3 dhjetor parashihej rritja e pagave për disa prej pozitave më të larta menaxheriale në Postën e Kosovës.

Kështu, sipas vendimit, Kryeshefi Ekzekutiv do të merrte një pagë prej 2 mijë e 500 eurove ndërsa, katër pozita tjera menaxheriale pritej t’i merrnin nga 2 mijë e 100 euro.

Por, ky vendim nuk është më në fuqi. Ndaj këtij vendimi pati shumë reagime, ndërsa Ministria e Ekonomisë kërkoi anulimin e tij.

“Anulohet vendimi nr. 01-2191/2020 i dt. 03/12/2020 për kthimin e përkohshëm të koeficientit të më parshëm për gradat 17 dhe 16. Kthehet në fuqi vendimi i BiD të përkohshëm nr. 01-909/2020 i dt. 26/05/2020, për zbritje/caktimin e koeficientit për gradat 17 dhe 16”, thuhet në vendimin të cilin e ka siguruar KALLXO.com.

Në maj të këtij viti, Bordi i Përkohshëm i Posta e Kosovës, i cili ishte emëruar nga Qeveria Kurti, kishte nxjerr një vendim i cili parashihte zvogëlimin e pagave për 30% për disa prej pozitave menaxheriale në Postën e Kosovës.

Politika në ‘Postën e Kosovës’

Tre nga katër anëtarët e bordit të përkohshëm të emëruar nga Qeveria Hoti kanë lidhje politike. Ndërsa, edhe u.d. kryeshefi, i cili u zgjodh para disa javësh, ishte kandidat i njërës prej partive e cila është në koalicion me partinë e Avdullah Hotit.

Hulumtimi i KALLXO.com zbulon se Leonard Shabanaj, kryesues i bordit të përkohshëm në Postën e Kosovës ishte pjesë e partisë së Ramush Haradinajt, AKK-së. Ai ka thënë se që një kohë më nuk është aktiv në politikë.

“Jo, aktualisht nuk jam pjesë e asnjë partie politike, kam qenë para shtatë apo tetë viteve, kam qenë në struktura të rinisë. Jo, nuk ka të bëj me politikën çështja e zjedhjes sime në bord”, ka thënë Shabanaj për KALLXO.com.

Por, ndryshe tregon një fotografi e cila u postua nga Daut Haradinaj në tetor të këtij viti. Ai shihet në zyrat e AAK-së në Pejë, qytet prej nga vjen edhe ai.

Por, pasi është prezantuar fotografia, ai tha se takimi ishte i rastësishëm dhe vetëm për kafe.

“Shoqëri, veç kafe kemi pi, takim i rastësishëm ka qenë”, tha ai.

Pjesë e politikës është edhe anëtari i bordit, Fadil Aliu. Ai ishte kandidat për deputet për partinë e cila është në pushtet, Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Në një bisedë për KALLXO.com, Aliu e pranon që ka qenë me LDK-në, ndërsa mohon se ndikoi partia e Isa Mustafës që ai të emërohet në bordin e përkohshëm.

“Po, kam qenë kandidat për deputet në vitin 2017, por aktualisht nuk jam pjesë aktive e asnjë partie. Unë jam profesionist e aktualisht s’jam aktiv në politikë. Nuk ka ndikuar politika që të jem anëtarë I Bordit të Përkohshëm, unë e kam pas kërkesë nga Qeveria që të shkoj si trup emergjent për me shku, me kfill gjendjen”, deklaroi ai.

Elda Maloku, anëtarja tjetër e bordit të përkohshëm të Postës është pjesë e politikës. Ajo fillimisht nuk e ka pranuar se është në partinë e Fatmir Limajt, Nisma Socialdemokrate, parti kjo e cila, po ashtu, është pjesë e pushtetit.

“Unë nuk i përkas asnjë partie politike, nuk ka asnjë ndikim politika në punën që bëj. Gabim jeni, unë nuk jam. Nuk kam qenë asnjëherë pjesë e Nisma-s”, ka thënë ajo.

Por, kolegu i saj në bordin e përkohshëm dhe kryesuesi, Leonard Shabanaj e ka konfirmuar se në foto nga një mbledhje e partisë së Nismës është Elda Maloku.

Me vendimin e datës 3 dhjetor, pagën prej 2 mijë e 500 eurove parashihet ta marrë kryeshefi i Postës. Aktualisht, u.d. kryeshef ekzekutiv është Xhevdet Smakiqi.

Smakiqi ishte kandidat për deputet nga partia e Fatmir Limajt, Nisma Socialdemokrate në zgjedhjet e fundit nacionale.

Në një bisedë për KALLXO.com, Smakiqi tha se nuk ka ndikuar politika që ai të marrë pozitën në Postën e Kosovës. Ndërsa, tha se ka kohë që më nuk është aktiv në politikë.

“Jo, nuk jam në Nisma. Që një vit nuk jam aktiv, në fakt zyrtarisht kam dhanë dorëheqje në shtator, por aktiv në politikë nuk jam që një vit. Nuk jam as në AAK, as anëtar as lidhje nuk kam. Para dy-tre jave jam zgjedhur kryeshef, nuk ka lidhje me politikë zgjedhja ime. Unë Haxhi Shalën e njoh si deputet unë jam i pavarur”, deklaroi ai.

Lidhjet politike të bordit të Postës që vendosi për pagat e larta të menaxherëve

www.kallxo.com