FOTO: KEK-u

Bordi i përkohshëm i KEK-ut merr disa vendime të rëndësishme

Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve (BPD) i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka bërë të ditur përmes një njoftimi për medias se gjatë mbledhjes së sotme ka aprovuar ndarjen e dividentës për aksionarin dhe ri-alokimin e mjeteve konform vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës në pajtim me ligjin për Buxhetin, në vlerën prej 10 milionë eurove.

Sipas njoftimit, BPD mori vendim që menaxhmenti i KEK -sha, të ndërmerr veprime konkrete për zbatimin me përpikëri të obligimeve që dalin nga Ligji nr; 05/L-044 për zonën e rrezikuar mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij.

“BPD vuri në theks të veçantë implementimin e projekteve mjedisore rreth zonës së rrezikuar të Obiliqit dhe implementimin e përparësisë në punësime ashtu siç parashihet më këtë ligj. Në këtë drejtim BPD gjithashtu ka udhëzuar menaxhmentin e KEK sha., që edhe komuna e Fushë Kosovës, si komunë e afektuar nga projektet e KEK-sha, të përkrahet në aspektet e mbrojtjes së ambientit si dhe projekte të tjera në të mirë të komunitetit”, thuhet në njoftim.

Po ashtu gjatë mbledhjes së sotme BPD ka rekomanduar menaxhmentin që të shikohet mundësia e shkurtimit të afatit kohor të shërbimit për sa i përket aktivitetit për sigurimin fizik.

Sipas njoftimit, BPD ka vendosur për fillimin e procedurave përmes shpalljes publike për punësim konform ligjeve në fuqi dhe rregulloreve të brendshme që të njëjtat të plotësohen.

“Pozitat e nevojshme janë ndarë në dy kategori, me shkollim të mesëm dhe superior, pozita këto që janë liruar për shkak të mungesës së punonjësve në prodhim, pasi që vetëm në 5 vitet e fundit janë pensionuar rreth 1,000 punonjës”, thuhet në njoftim.