Foto: Kallxo.com

Bordi i Ndërmarrjes Publike Banesore zgjedh kryeshefin ekzekutiv

Bordi i Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), e ka zgjedhur kryeshefin ekzekutiv të kësaj ndërmarrje.

NPB përmes një njoftimi ka bërë të ditur se Hajdar Hoxhaj është emëruar në këtë pozitë.

“Ndërmarrja Publike Banesore ju njofton që në bazë të konkursit të rishpallur me datën 23 dhjetor 2019, për pozitën ‘Kryeshef Ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike Banesore Sh.A.’, Bordi i Drejtorëve me mbështetjen e përfaqësuesve të Ambasadës Britanike, ka bërë vlerësimin e përbashkët për secilin kandidat dhe pas procesit të rekrutimit dhe në bazë të listës përfundimtare të poentimit, ka përzgjedhur Kryeshef Ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike Banesore, z. Hajdar Hoxhaj”, thuhet në njoftim.

NPB-ja ka theksuar se do të mbeten të përkushtuar për transparencë në të tilla procese.

“Njëkohësisht ju njoftojmë se ne do të mbetemi të përkushtuar që në procese të tilla të interesit publik, të ofrojmë kushte për të gjitha palët e interesuara që edhe në të ardhmen të monitorohen procese të tjera të cilat na ndihmojnë të jemi sa më transparent dhe të ofrojmë kushte të barabarta për secilin qytetar”, thuhet në njoftim.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) e ka monitoruar procesin e rekrutimit për pozitën e kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes në fjalë.

Ndërkaq, i sapo emëruari në pozitën e kryeshefit të NPB-së, Hajdar Hoxhaj për gati 2 vjet ka qenë ushtrues detyre i pozitës së kryeshefit të ndërmarrjes, që nga prilli i vitit 2018.

Më 22 shkurt të vitit të kaluar ishte shpallur konkursi për Kryeshef Ekzekutiv të NPB-së, ku më pas i njëjti ishte anuluar në shtator 2019.

“Bordi i Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Banesore pas shqyrtimit të Konkursit për pozitën “Kryeshef Ekzekutiv” – i shpallur në datën: 22.02.2019 dhe i vazhduar në datën: 29.03.2019, në mbledhjen e mbajtur në datën: 03.09.2019, ka vendosur që ky Konkurs të Anulohet”, thuhej në njoftimin e NPB-së.

Me datën 10 prill 2019, Bordi i NPB-së ishte mbledhur për të shqyrtuar aplikacionet e kandidatëve që kanë aplikuar. Për këtë pozitë kishin aplikuar 24 persona.

Përcaktimi i kandidatëve që patën hyrë në listë të ngushtë ka zgjatur më shumë se një muaj, ka filluar më 10 prill 2019 dhe ka përfunduar më 15 maj 2019.

Prej 24 kandidatëve që kishin aplikuar, 19 prej tyre patën hyrë në listë të ngushtë. 8 prej kandidatëve ishin tërhequr për arsye të ndryshme kurse 11 prej tyre ishin intervistuar.

Që nga përcaktimi i listës së ngushtë të kandidatëve që kanë patën hyrë në listë të ngushtë, deri te fillimi i intervistimit të tyre patën kaluar 15 ditë.

Intervistimi i kandidatëve ka zgjatur 3 ditë, nga 30 maji 2019 deri më 1 qershor 2019.

Edhe pse Bordi i NPB-së i kishte intervistuar kandidatët për pozitën e kryeshefit ekzekutiv të NPB-së, ata nuk e kanë bërë poentimin e tyre aty për aty siç ndodh zakonisht nëpër konkurse të këtij lloji.

Por ata kanë deklaruar që do të caktojnë një takim pas 1 qershorit për të bërë poentimin e tyre dhe për të zgjedhur kandidatin më të suksesshëm për këtë pozitë. Por kjo mbledhje nuk ishte caktuar asnjëherë.

Bordi i NPB-së përbëhet nga Lendita Mekuli-Myderizi – kryetare, Bekim Pireva – anëtar, Xhevdet Leci -anëtar dhe Arbnora Jashanica – anëtare.

Anulohet konkursi për kryeshef të Ndërmarrjes Publike Banesore