KRU Hidrodrini, Foto: Facebook
Bordi i KRU 'Hidrodrini"-t e shkarkon kryeshefin ekzekutiv, Dri Cenën
Bordi i KRU ‘Hidrodrini’ në Pejë ka shkarkuar kryeshefin ekzekutiv, Dri Cenën.
Bordi i drejtorëve në arsyetimin për shkarkimin ka thënë se kryeshefi Cena u shkarkua për shkak të vlerësimit negativ të performancës.
Në arsyetim tutje thuhet se në dhjetor iu vazhdua kontrata që të reflektojë dhe të përmirësojë performancën, megjithatë sipas tyre nuk ka pasur shenja përmirësimi.
“Pozita financiare e ndërmarrjes është pavolitshme për shkak të rritjes së shpenzimeve dhe dështimit në rritjen e inkasimit sipas planifikimeve në plan të biznesit” – thuhet mes tjerash në letrën e bordit të drejtorëve.
Si dështimet kryesore të Dri Cenës u përmendën dështimi në reduktimin e humbjeve të ujit, dështimi në rritjen e të hyrave dhe zvogëlimit të borxheve.
Bordi thotë se ka pasur parregullsi në raportet e kontabilitetit dhe se ata kanë rënë në lajthitje. Në arsyetimin e shkarkimit u përmend edhe Raporti i Auditimit, i cili sipas tyre ka vënë në pah parregullsitë.
“Udhëzimet dhe rekomandimet e Bordit janë përbuzur dhe injoruar në vazhdimësi gjatë periudhës 14 mujorë” – thuhet tutje në arsyetim.
Sipas tyre, pjesa dërrmuese e 175 rekomandimeve nuk janë zbatuar.
Bordi ndër të tjera thotë se Cena ka shpërblyer veten dhe zyrtarin kryesor financiar kundërligjshëm me pagesë shtesë për punë jashtë orarit.
Në arsyetim u përmend edhe një rast që sipas tyre u nënshkrua kontratë me operatorë privatë pa procedura të prokurimit.
Vendimi hyn në fuqi sot, më 31.07.2024.