Bordi i KRU "Gjakova" thërret mbledhje të jashtëzakonshme pas publikimit të audio-incizimeve nga KALLXO.com për kryeshefin Krasniqi

Bordi i Drejtorëve të KRU “Gjakova” ka thirrur mbledhje të jashtëzakonshme për të analizuar provat dhe pretendimet për përfshirjen e kryeshefit të Ndërmarrjes, Hasan Krasniqi, në përzgjedhjen dhe negocimin e një tenderi të kësaj Ndërmarrjeje.

KALLXO.com më 09.03.2025 ka publikuar disa audio-incizime në të cilat dëgjohet kryeshefi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”, Hasan Krasniqi, teksa flet për negocim Kontrate dhe konfirmon përfshirjen e tij në kontaktimin e bizneseve që do të merreshin me servisimin e makinave të Ndërmarrjes, si dhe dëgjohet duke thënë se do të zgjedhë Kompaninë për të nënshkruar një Kontratë.

Kryesuesi i Bordit të KRU “Gjakova”, Urim Gashi ka konfirmuar se pas publikimeve në Kallxo Përnime ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme të Bordit, për të analizuar situatën.

“Pasi që e kam parë atë që keni publikuar, unë sot kam kontaktuar me Sekretaren edhe po e organizojmë një mbledhje të jashtëzakonshme për ditën e nesërme, ose pasnesër. I kemi afatet ligjore që duhet të respektohen. Kemi me analizu rastin që e keni publiku ju, përmes një mbledhjeje të jashtëzakonshme.” – ka thënë Gashi.

Ai ka bërë të ditur se pritet që në mbledhje të marrë pjesë edhe kryeshefi Krasniqi, si dhe Menaxhmenti i lartë i Ndërmarrjes.

Incizimet që janë publikuar në emisionin Kallxo Përnime dëshmojnë se kryeshefi Krasniqi e ka pranuar para stafit të tij se i ka dhënë instruksione shoferit të tij, Valon Gunga për të dalë dhe për të gjetur Kompani që servisojnë makina.

Ai dëgjohet, po ashtu, duke thënë se ka shkuar te dy Kompani për t’u kërkuar atyre që të ofrojnë vetëm dokumentacionin për nënshkrimin e Kontratës, ndërsa punët do t’i kryente dikush tjetër.

Gjithashtu, Krasniqi dëgjohet duke thënë para stafit të tij se “unë do të zgjedh Kompaninë” – në lidhje me tenderin për servisimin e veturave të Kompanisë.

“Jam shku te N.R. edhe te Xh., se Nita më tha. Unë vetë personalisht… I thashë: ‘A ka bre mundësi me na dhonë dokumentet, licensën, veç me e bo një Kontratë. Nuk ke me i servisu ti kerret. Nëse don me i servisu, servisoj.’” – dëgjohet në audio-incizim kryeshefi Krasniqi; duke treguar se si ka shkuar te një Kompani e caktuar për t’i kërkuar vetëm dokumentacionin për nënshkrimin e Kontratës.

“Jam shku…, i kam thënë djalit të vet: ‘A po na jep vetëm të drejtën se je Kompani dhe faturimet dalin kah ti?’ Më ka thënë: Drejtor, më vjen keq. Nuk du me e ngarku Kompaninë. Është e ngarkume. Çdo faturë ma kanë lypë (nuk kuptohet), kontabilisti, hymja, dalja (nuk kuptohet)… nuk po du me e ngarku Kompaninë.” – dëgjohet Krasniqi.

KALLXO.com ka dërguar këto audio-incizime te Krasniqi dhe ai ka konfirmuar vërtetësinë e tyre.

Hulumtimi dëshmon se pas këtij procesi Kontrata u nënshkrua me një Operator Ekonomik, ndërsa servisimi i makinave në realitet po kryhet në Kompaninë që e drejton vëllai i negociatorit, Valon Gunga, pra te Kompania 4G Auto, në pronësi të Dukagjin Gungës.

Dosja tregon që KRU “Gjakova” ka hapur një tender emergjent për servisimin e veturave në vlerë prej 50 mijë eurosh.

Në këtë tender ftohen për të ofertuar dhe negociuar tri Kompani: Kompania me emrin “Te Beka”, Kompania “Top Group” dhe Kompania “AM-Bur”.

Në fund, Kontrata nënshkruhet me Kompaninë me emrin “AM-Bur”, me pronar Sulejman Burjani.

Kontrata është nënshkruar më 29 nëntor 2024. Vlera e saj është mbi 29 mijë euro dhe vlen për 5 muaj.

Menaxher të Kontratës nga ana e KRU “Gjakovës” janë përcaktuar: Blin Rudi e Besnik Kusari si inxhinier në KRU “Gjakova” dhe Valon Gunga, shofer.

Gunga është shofer i Kryeshefit dhe ai ishte ngarkuar për ta mbikëqyrur Kontratën.

Më 03.03.2025, KALLXO.com ka gjetur se në autoservisin e familjes Gunga ishin duke u servisuar dy vetura zyrtare të KRU “Gjakova”.

Pra, punët i kryente Dukagjini. Ato ia miratonte vëllai i tij, Valoni si Menaxher i Kontratës, ndërsa paratë paguhen te Sulejmani Burjani, i cili është pronar i Kompanisë “AM-Bur”.