Bordi i "Infrakos" shpall konkurs për kryeshef ekzekutiv të ndërmarrjes

Ndërmarrja Publike Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës “Infrakos” ka shpallur konkurs për kryeshef ekzekutiv.

Në muajin prill, Bordi i përkohshëm i “Infrakos” i emëruar nga Qeveria Kurti e ka shkarkuar kryeshefin ekzekutiv, Agron Thaçi.

Si arsye për shkarkimin e Thaçit janë përmendur shkeljet e detyrave fiduciare.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Prokuroria Themelore në Prizren kishte ngritur aktakuzë ndaj shtatë personave, ndër ta ishte edhe tash ish-kryeshefi ekzekutiv i Infrakosit, Agron Thaçi.

Ndaj të njëjtit rëndojnë akuzat se për shkak të përfitimit të dobisë pasurore për vetë apo për dikë tjetër i ka shkaktuar dëm ndërmarrjes që drejton, pasi që i njëjti  nuk kishte përmbushur detyrën që kishte edhe pse ka qenë i ngarkuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës, duke neglizhuar obligimet dhe detyrat e tij.

Në vend të Thaçit, si Ushtrues Detyre është emëruar Xhevat Ramosaj, deri tani zëvendëskryeshef i  ndërmarrjes, “Infrakos”.

Ramosaj ka qenë për dy mandate kryeshef dhe qe tri mandate është zëvendëskryeshef në “Infrakos”.

Më 1 qershor, Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës “Infrakos” ka shpallur konkurs për pozitën kryeshef ekzekutiv.

Kandidatët që aplikojnë për këtë pozitë duhet të kenë kualifikim superior në transport, inxhinieri, ekonomi apo drejtësi. Po ashtu duhet të kenë së paku 5 vjet përvojë pune në menaxhim dhe / ose udhëheqje në sektorin e infrastrukturës / transportit. Gjithashtu duhet të kenë integritet të lartë moral dhe profesional, të kenë aftësi menaxheriale, lidershipi, të aftë që të menaxhojnë situata të ndryshme, të punojnë nën presion dhe të kenë aftësi për marrjen e vendimeve. Ata duhet të kenë njohuri dhe përvojë e mirë në sektorin hekurudhor, te flasin rrjedhshëm gjuhen shqipe, serbe dhe gjuhen angleze.

Për përzgjedhjen e kandidatëve do të formohet një panel përzgjedhës për procesin e përzgjedhjes. Ky panel do të ftojë në intervistë aplikantët me profilin më të mirë sipas kërkesave specifike për pozitën e shpallur, të përzgjedhur në bazë të meritave të tyre dhe sipas kritereve të përcaktuara më lartë.

Kandidatëve mund t’u kërkohet të bëjnë një test me shkrim.

Kandidatët që nuk janë të ftuar në intervistë do të informohen përmes postës elektronike dhe do të kenë mundësinë të paraqesin një ankesë kundër këtij vendimi brenda dhjetë ditëve të punës pas marrjes së njoftimit përmes postës elektronike. Çdo argument duhet të bazohet në aplikimin fillestar. Asnjë informacion shtesë nuk do të merret në konsideratë. Paneli përzgjedhës duhet t’u përgjigjet kandidatëve brenda dhjetë ditëve të punës (nga data e pranimit të ankesës).

Pas përfundimit të intervistave personi përgjegjës i Infrakos-it do ta informojë kandidatin e përzgjedhur për vendin e punës brenda 10 ditëve. Kandidatët që janë intervistuar, por nuk janë përzgjedhur për pozitën për të cilën kanë aplikuar do të informohen përmes postës elektronike. Kandidatët do të kenë mundësinë të paraqesin një ankesë kundër këtij vendimi brenda dhjetë ditëve të punës pas marrjes së postës elektronike. Personi përgjegjës i Infrakos-it duhet t’u përgjigjet kandidatëve brenda dhjetë ditëve të punës (nga data e marrjes së ankesës).

Kandidatët e interesuar për aplikim për pozitën e kryeshefit ekzekutiv të “Infrakos”, duhet t’i dorëzojnë dokumentet vijuese: Letër motivimin prej një apo maksimumi dy faqeve; CV-në në formatin e standardizuar (Europass); Kopjet e diplomave, certifikatave, kualifikimeve; Letër referencat; Certifikatën më të re se 6 (gjashtë) muaj se nuk janë të dënuar dhe se kundër tyre nuk është duke u zhvilluar procedurë penale dhe Deklaratën e nënshkruar nga parashtruesi i kërkesës e bashkëngjitur në shtojcë të këtij konkursi.

Personi i përzgjedhur për pozicionin e kryeshefit ekzekutiv të Infrakos-it do të emërohet për një periudhë tre-vjeçare, me një periudhë prove prej 6 muajsh. Pas periudhës trevjeçare kontrata mund të vazhdohet duke u bazuar në performancën e treguar e cila vlerësohet nga Bordi i Drejtorëve.

Konkursi do të jetë i hapur deri më 1 korrik 2020, ora 16:00.