AKP. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bordi i drejtorëve të AKP-së ia ndal vetes pagesat për takime

Bordi i drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) ka mbajtur sot një mbledhje në të cilën është informuar nga menaxhmenti i AKP-së lidhur me gjendjen me privatizimet dhe likuidimin.

Gjithashtu, bordi ka marrë vendim për të eliminuar pagesat për takime për anëtarët e tij.

“Bordi i Drejtorëve në këtë takim diskutoi edhe mbi kompensimet e anëtarëve të Bordit. Me këtë rast mori vendim që kompensimi për anëtarë të Bordit të zvogëlohet në mënyrë lineare për 30%, si dhe vendosi që kompensimi për anëtarët e Bordit të Drejtorëve të bëhet mujor (fiks) duke eliminuar pagesat për takime, që efektivisht pothuajse përgjysmon kompensimin e anëtarëve të Bordi”, thuhet në komunikatën për media.

Po ashtu sipas komunikatës, bordi i drejtorëve e ka udhëzuar menaxhmentin që në kuadër të strukturës së re organizative dhe në përputhje me aktivitetin në ulje të AKP-së të përgatisë rregulloren e re të pagave e cila do të reflektojë ulje të buxhetit të pagave prej 30% për zyrtarët e lartë dhe stafin e AKP-së.

“Bordi i Drejtorëve shqyrtoi dokumentet të cilat do të shërbejnë si bazë për përgatitjen e draft strategjisë për finalizimin e procesit të privatizimit duke konkluduar që deri në aprovimin e këtij drafti të vazhdoj pezullimi i shitjeve sipas kërkesës së Qeverisë, ndërkaq udhëzoi menaxhmentin që të vazhdohet me qiradhënie të rregullt të aseteve shoqërore sipas rregullores në fuqi për periudha 1 vjeçare me mundësi vazhdimi”, thuhet tutje në komunikatë.

Pas shqyrtimit dhe diskutimit mbi buxhetin e AKP-së për 2021, sipas komunikatës, bordi i drejtorëve ka  paraqitur vërejtjet e tij dhe ka kërkuar sqarime shtesë lidhur me disa zëra buxhetor pas të cilave do të shqyrtojë dhe aprovojë buxhetin në mbledhjen e radhës.

Bordi miratoi unanimisht transferimin e fondeve të mbetura për 3 ndërmarrje shoqërore në shumën prej rreth 39 mijë euro, në Fondin e Konsoliduar të Republikës së Kosovës.

“Tutje Bordi i Drejtorëve miratoi Marrëveshjet e Mirëkuptimit në mes MPBAP dhe AKP për pagesën e shpronësimit për: Pronat e objekteve “Pallati i Mediave-Rilindja dhe Toka e N.Sh. “Drithnaja” (Zhitopromet); Objekti “Ish Banka e Lubjanës” (N.Sh. Banka e Lubjanës dhe N.Sh. Metal Holding); dhe Objekti “Barnatorja e Qytetit” Prishtinë. Veç kësaj, pas shqyrtimit Bordi i Drejtorëve miratoi rritjen e buxhetit për Ndërmarrjen në likuidim “Prishtina”’, thuhet tutje aty.

Në këtë takim, bordi po ashtu ka vendosur që të themelojë Komitetin e Auditimit si dhe Komisionin për Vlerësimin e Performancës së Menaxhmentit për vitin 2020.

Po ashtu në këtë mbledhje drejtori menaxhues i AKP-së, Valon Tolaj, ia ka paraqitur dorëheqjen bordit të drejtorëve të AKP-së, duke e falënderuar atë për bashkëpunimin e deritanishëm dhe bordi e ka pranuar këtë dorëheqje.

Tolaj përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Valon Tolaj jep dorëheqje nga AKP