Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës i kërkon urgjentisht ministrit Murati ta lëshojë qarkoren e dytë buxhetore
Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) ka kërkuar urgjentisht nga ministri i Financave, Hekuran Murati, që të lëshojë qarkoren e dytë buxhetore për komunat e Republikës së Kosovës.
Sipas bordit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, lëshimi i qarkores së dytë buxhetore u mundëson komunave të Kosovës që të fillojnë procesin final të planifikimit buxhetor.
“AKK-ja shprehet e brengosur që nëse një gjë e tillë nuk ndodh, komunat nuk do mund t’i zhvillojnë debatet me qytetarë dhe kjo mund të dërgoj në mos-planifikim të mirë buxhetor dhe në mos-përmbushjen e kërkesave të qytetarëve në realizimin e nevojave të tyre” – thuhet në kërkesën e AKK-së më 06.08.2024.
Bordi i AKK-së konsideron se mosdorëzimi i buxhetit më 01.09.2024 u kushton komunave humbje të pikëve në Raportin e Performancës, respektivisht penalizohen nga përfitimet financiare nga Granti i Performancës.
Po ashtu, bordi i AKK-së thotë se kjo nuk është hera e parë që Ministria e Financave e dërgon shumë vonë qarkoren e dytë buxhetore.
“Nuk është hera e parë që MFPT-ja e dërgon shumë vonë këtë qarkore dhe i rrezikon komunat që mos të kenë mundësi teknike që ta dorëzojnë buxhetin me kohë pranë kuvendeve të komunave, më saktësisht me datën 1 shtator që është obligim ligjor që buxheti t’i dorëzohet Kuvendit të Komunës” – kanë thënë nga AKK.
Pa qarkoren e dytë buxhetore, bordi i AKK-së vlerëson se komunat nuk i dinë as kufijtë përfundimtarë buxhetorë si organizata buxhetore dhe kjo pamundëson direkt dorëzimin e buxhetit në Kuvendin e Komunës, e që për këtë situatë përgjegjësinë ia vënë ministrit Murati.
“Nëse ndodhë që MFTP-ja të vonohet edhe më tutje, Bordi i AKK thekson që e gjithë përgjegjësia duhet të bijë mbi ministrin Murati, që deri më tani është treguar neglizhent në raport me kërkesat e komunave” – kanë theksuar nga AKK.
Tutje, bordi i AKK-së ia përmend Ministrisë së Financave që sa më shpejt të bëjë edhe bartjen e mjeteve financiare të komunave nga rritja e të hyrave vetjake nga viti 2023, të cilat thonë se janë bllokuar nga kjo Ministri.
“Këto mjete ende janë të bllokuara nga MFTP-ja dhe ia rikujtojmë Ministrit Murati që këto mjete janë të komunave dhe duket shumë absurd që mjetet e komunave të bllokohen nga niveli qëndror. Kemi të bëjmë më mosbartjen e rritjes së të hyrave vetanake të vitit 2023, e që këto të hyra kapin shifrën e milionave euro” – ka shtuar AKK.
Ata pretendojnë se komunat që kanë tejkaluar planifikimin e të hyrave vetanake për vitin 2023 kanë aprovuar këtë rritje buxhetore në kuvendet e komunave përkatëse, por Ministria e Financave ende nuk i ka bartur këto të hyra dhe është duke i zvarritur pa asnjë arsye.
“Duhet ditur se MFPT-ja e ka obligim ligjor që këto mjete t’i bartë te komunat sepse janë të hyra vetjake të komunave dhe që shumica absolute e këtyre mjeteve janë të dedikuara për investime kapitale, pra në përmirësimin e jetës së qytetarëve” – kanë përfunduar nga AKK.
KALLXO.com e ka pyetur Ministrinë e Financave për këto pretendime të bordit të AKK-së dhe është në pritje të përgjigjeve.