Bordi i Asociacionit të Komunave kundër masave të reja kundër COVID-19

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), ka deklaruar se nuk i përkrah masat e reja kundër COVID-19 që sjellin kufizime më të ashpra.

Sipas tyre, ky vlerësim vjen për arsye se kjo mbyllje do të ndikojë tepër rëndë në sektorë të caktuar të ekonomisë së vendit.

Bordi i AKK-së ka qenë prezent në takimin e mbajtur sot të thirrur nga ministri Arben Vitia me kryetarët e komunave.

Komunat u shprehën kundër masave të reja që përfshijnë mbylljen totale të vendit.

Dje u paralajmërua se nga 6 prilli deri më 18 prill do të ketë mbyllje të totale për shkak të numrit të lartë të rasteve me COVID-19.

Kjo është deklarata e plotë e bordit të AKK-së:

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës në takimin e sotëm debatoi lidhur me mbylljen e paralajmëruar nga Qeveria e Kosovës në kuadër të parandalimit të përhapjes së pandemisë Covid-19.
Në këtë takim Bordi vlerësoi se është shumë e rëndësishme që masat kundër përhapjes së pandemisë Covid-19 të vazhdojnë të zbatohen në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve tanë.
Por, Bordi në anën tjetër vlerëson se nuk i përkrah masat e reja që sjellin kufizime më të ashpra. Ky vlerësim vjen për arsye se, përkundër qëllimive të mira shëndetësore, kjo mbyllje do të ndikoj tepër rëndë në sektorë të caktuar të ekonomisë së vendit tonë.
Kryetarët e Komunave vlerësojnë se duhet të respektohen masat aktuale me rigorozitet, të rritet numri i aktiviteteve inspektuese, të rritet angazhimi dhe përkushtimi i policisë, të rritet edhe përkrahja me barna esenciale sepse ka ngecje serioze me furnizim. Nuk është mirë të ketë kufizime sepse është koha e të mbjellave, e edhe gastronomia është e lidhur me bujqësinë.

Poashtu Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës vlerëson se institucionet qendrore dhe shëndetësore duhet të vazhdojnë konsultimet me Kryetarët e Komunave në nivel më të gjerë të përfshirjes, në mënyrë që të kemi vlerësim më real të gjendjes dhe bashkëpunimit mes nivelit qendror dhe lokal për formën dhe masat kufizuese.