Bordi i AKP-së miraton listën e aseteve të ndërmarrjeve në likuidim për ShAL 70

Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) në mbledhjen e mbajtur më 01.11.2024 ka miratuar listën e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore në proces likuidimi për Shitjen e Aseteve me Likuidim – 70.

Po ashtu, Bordi ka miratuar qiradhënien e aseteve të NSh Ineks Brezovica dhe Jatex Gjakovë.

“Në këtë mbledhje, Bordi miratoi listën e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore në proces likuidimi për ShAL 70. Po ashtu bordi miratoi qiradhënien e aseteve të NSh Ineks Brezovica dhe Jatex Gjakovë, qira të cilat do të kontribuojnë në rritjen e performancës financiare të këtyre ndërmarrjeve që janë në administrim direkt. Pos të tjerave Bordi miratoi transferimin e të drejtave të qiramarrjes sipas kërkesave të paraqitura nga autoriteti i likuidimit”- thuhet në njoftim.

Ndërsa thuhet, se në interes të kreditorëve, Bordi shqyrtoi dhe miratoi raportet e shpërndarjes plotësuese të përkohshme për NHT Rugova dhe IFS Progres, ndërsa dha miratim për inicimin e procedurës së likuidimit për NSh Agrokosova Commerc në Prishtinë.

AKP ka theksuar se procesi i shpronësimit të aseteve që do të kontribuoj në interes të përgjithshëm publik, duke u bërë pjesë e infrastrukturës dhe zhvillimit të qëndrueshëm lokal, parcela në të cilat janë ndërtuar kryesisht rrugë publike.