Bordi Drejtues i ShSKUK-së dhe drejtori i përgjithshëm, Elvir Azizi me menaxhmentin e ri të Fakultetit të Mjekësisë. Foto: ShSKUK, Facebook
Bordi dhe drejtori i ShSKUK-së takohen me menaxhmentin e ri të Fakultetit të Mjekësisë
Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK) dhe drejtori i përgjithshëm, Elvir Azizi, janë takuar me menaxhmentin e ri të Fakultetit të Mjekësisë, me në krye Dekanin Sefedin Muçaj, të mërkurën më 23.10.2024.
Ky takim vjen pas pakënaqësive që Fakulteti kishte shprehur lidhur me draftin e Statutit të ri të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Përmes një njoftimi në Facebook, ShSKUK ka njoftuar se takimi u bë me “qëllim të urimit dhe fillimit të bashkëpunimit me menaxhmentin e ri”.
ShSKUK nuk ka dhënë detaje nëse dy palët kanë biseduar rreth draftit të statutit të QKUK-së, por ka treguar se të dyja palët janë pajtuar për të fuqizuar bashkëpunimin.
“Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Sefedin Muçaj, i shoqëruar nga prodekanët e porsazgjedhur, falënderoi anëtarët e Bordit Drejtues dhe drejtorin e ShSKUK-së, duke theksuar se ky takim është vazhdimësi e koordinimit dhe harmonizimit të bashkëpunimit ndërmjet Fakultetit të Mjekësisë dhe ShSKUK-së” – thuhet në njoftim.
Kryesuesi i Bordit, Dren Boshnjaku ka thënë se bashkëpunimi duhet të zhvillohet sa i përket pjesës praktike të studentëve dhe njohurive klinike, zhvillimit të programeve dhe seminareve për shërbime ndryshme në spitale, hulumtime paraklinike dhe klinike në bashkëpunim me stafin akademik.
Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Prishtinës është shprehur i pakënaqur për mos përfshirjen e tij në hartimin e draftit të Statutit të ri të QKUK-së. Këshilli i Fakultetit ka adresuar edhe 11 vërejtje rreth disa dispozitave të statutit që lidhen me Universitetin, në adresë të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.
Kjo shkresë është diskutuar në mbledhjen e ShSKUK-së më 18.09.2024, me ç’rast Bordi ka shprehur gatishmëri për t’u takuar dhe të diskutuar këtë çështje.