Kampi ushtarak amerikan "Bondsteeel" në Sojevë të Ferizajt. Foto: Kallxo.com

Zyrtarët e Bondsteel mohojnë raportimet mbyllje të kampit

Kampi Amerikan ushtarak në Kosovë “Bondsteel” i ka demantuar raportimet se do të largohen nga Kosova nëse nuk hiqet tarifa 100 përqind ndaj produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Zëdhënësja e Kampit “Bondsteell”, Amelia Thatcher për  Emisionin  “Jeta në Kosovë” ka thënë se nuk kanë marrë asnjë urdhër për mbyllje të kampit.

“Misioni i KFOR-it s’ka ndërru qe 20 vjet, edhe ne jemi këtu për ta ekzekutuar misionin e KFOR-it edhe për të përkrahur  institucionet e Kosovës. Për më shumë, nuk kemi marrë asnjë urdhër prej bazës (HQ) që do të ndodhë ndonjë mbyllje e kampit Bondsteel”, ka theksuar Thatcher.

Portalet GazetaExpress  ditët e fundit kanë raportuar se ShBA-të do shqyrtojnë mundësinë e tërheqjes së trupave amerikane në Kosovë, nëse nuk hiqet tarifa doganore ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës.

Kjo sipas raportimeve parashikohej të ndodhte në fund të javës, por  asnjë raportim nuk ka pasur konfirmim nga asnjë burim zyrtar.

“Jeta në Kosovë” ka kontaktuar zëdhënësin e të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë – Serbi Richard Grenell, zëdhënësin e Ambasadës Amerikane në Kosovë dhe zëdhënësen e Bondsteeli-it, por asnjë prej këtyre burimeve zyrtare nuk kanë thënë se do të mbyllet kampi amerikan në Kosovë nëse nuk hiqet tarifa.

Por kjo nuk është hera e parë që mediat në Kosovë kanë publikuar lajme të rreme për largimin e “Bondsteel” nga Kosova.

KALLXO.com përmes “Krypometrit” ka raportuar për këto të pavërteta.

Ushtarët amerikanë u vendosën në “Bondsteeel” në qershor të vitit 1999, kamp ky i cili gjendet në fshatin Sojevë të Ferizajt.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten ka thënë se nga 15 marsi do të hiqet tarifa 100 për qind ndaj lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Kurti në një konferencë për media ka thënë së nëse Serbia dëshmon se do ndalë fushatën për çnjohje ndaj Kosovës, Qeveria e Kosovës do ta largojë tarifën 100% plotësisht më 1 prill 2020.

Albin Kurti: Nga data 15 mars hiqet tarifa për lëndën e parë nga Serbia