Avionë të NATO-s - Foto: Facebook/kadriveseli

'Bombat e shpresës'

Mes frikës dhe dëshirës shqiptarët pritën bombardimet e para të forcave ajrore të Aleancës Veri-atlantike, NATO, kundër forcave serbe në Kosovë, të cilat ndodhën në mbrëmjen e 24 marsit të vitit 1999.

24 vite më vonë qytetarët e kujtojnë këtë ditë ndër më triumfueset për shqiptarët e Kosovës dhe momentin e fillimit të lirisë.

Për 78 ditë sa zgjatën bombardimet e NATOS mbi caqet serbe, shqiptarët kanë qenë të vendosur në zona të ndryshme të Kosovës.

“Në mëngjesin e datës 24 mars kanë ardh na e kanë sjell bukën gardianët dhe disa të burgosur shqiptarë që kanë qenë të burgosur për vepra tjera, jo për UÇK, por për vepra ordinere dhe duke na dhënë mëngjesin një djalë, prej atyre shqiptarëve të burgosur na ka tregu me zë të ulët që sonte kanë me fillu bombardimet e NATO-s. Dhe ne e kemi marrë ushqimin dhe jemi befasu”- tregon Zeqiri.

Ndërhyrjen e NATO-s përmes forcave ajrore Zeqiri e kujton si lajm të jashtëzakonshëm për Kosovën.

“Megjithatë ne kemi prit dhe nga ora tetë e gjysmë, meqë nuk kemi pas orë nuk e di saktë, por dikur vonë në mbrëmje kanë fillu disa shpërthime diku në Pejë ku filluan me u hedhë bombat e para të NATO-s dhe ne kemi qëndru tërë natën zgjuar nga gëzimi se ato bomba po i dëgjojmë prapë, por nuk u dëgjuan prapë atë natë”- tregon ai.

Në anën tjetër, Latif Gashi dhe Azem Zogaj në ditën kur ndodhën bombardimet ka qenë me familjet në banesat e tyre në Prishtinë.

“Në ato kohë ne jemi kanë në shtëpi, përnjëherë duke e shiku televizionin, përnjëherë kur e kemi ni një zhurmë shumë të madhe  dhe kemi dal në dritare dhe kemi pa në anën e Veterikut flakë, tjetër sen nuk kemi ditë se kush ka qenë, pastaj mbas 1-2 orë jemi taku me shokët tjerë, diçka u bë, NATO i ra”- rrëfen Gashi.

Azem Zogaj bombardimin e NATOS-s e kishte quajtur lajmërim të liris “Gjuajtja e parë  e NATO-s sa ishte e pabesueshme, aq ishte edhe mbresëlënëse sa na mbushte me frikë, sepse kishte mundësi që edhe ne të viktimizoheshim, aq na mbushte me shpresë. Ato bombardime me sa i mbajë mend unë ndodhnin natën edhe veç kur dëgjohej zhurma, shihej eksplodimi, drita e të tjera”.

Bombardimet e NATOS-s janë ndërprerë më 10 qershor 1999 me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Më ndërhyrjen e NATO-s u mundësua edhe kthimi i qytetarëve të cilët janë dëbuar nga forcat serbe për t’u kthyer në shtëpitë e tyre në Kosovë.

Dibran Fylli, ish pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK) thotë se ata kanë qen në dijeni për ditën e bombardimeve por jo për orën.

“Edhe ne si pjesëtar të  UÇK-së e kemi mirëprit, sidomos fillimin e bombardimeve të NATO-s dhe të gjitha ato ditët në vazhdimësi deri në qershorin e vitit 1999 pikërisht kur forcat serbe e lëshuan Kosovën dhe ne kemi qen jashtëzakonisht të lumtur, sepse ia kemi arrit që bashkë me aleatët të çlirojmë vendin”.

Misioni i NATO-s synoi të parandalojë sulmet ndaj civilëve në Kosovë dhe krijimin e paqes.