
Bomba tymuese dhe përplasje fizike në Kuvendin e Serbisë - VIDEO
Një incident ka ndodhur më 04.03.2025, në seancën e Kuvendit të Serbisë, pasi deputetët e opozitës u ngritën nga ulëset dhe aktivizuan bomba me tym në sallë. Aty pati edhe përplasje fizike mes personave në sallë.
Deputetët u panë gjithashtu duke hedhur edhe gjësende në drejtim të njëri-tjetrit.
Kryetarja e Asamblesë Kombëtare, Ana Brnabiq tha se një Deputet i partisë në pushtet u dërgua me ambulancë për trajtim, por këmbënguli se seanca duhet të vazhdojë në mënyrë që të miratohen të gjitha Ligjet në Rendin e ditës.
Ndërsa, deputetët e opozitës dhe Qeverisë debatuan në sallë, me ligjvënësit e opozitës të cilët këmbëngulnin se Ligjet nuk mund të debatohen ndërkohë që po vazhdojnë protestat masive në vend.
Protesta e udhëhequr nga studentët po vazhdon në një varg protestash gjithëkombëtare prej 01.11.2024, kur shembja e një strehe në Stacionin e Trenit në Novi Sad la të vdekur 15 njerëz.
Për më shumë se dy muaj, studentët në Serbi janë duke bllokuar dhjetëra Fakultete në të gjithë vendin. Ata kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për incidentin në Novi Sad.