
Foto: Jair Bolsonaro / facebook
Bolsonaro planifikoi dhe mori pjesë në komplotin e vitit 2022
Ish-presidenti brazilian i së djathtës ekstreme, Jair Bolsonaro, e dinte fort mirë dhe mori pjesë aktivisht në komplotin për të ruajtur pushtetin pas humbjes së zgjedhjeve më 2022, thuhet në raportin e Policisë Federale që është publikuar të martën – sipas kohës lokale braziliane – ka raportuar agjencia amerikane e lajmeve, AP.
Policia Federale e akuzoi edhe zyrtarisht Bolsonaron dhe 36 persona të tjerë për përpjekje për grusht shtet. Prokurorët ia kanë dorëzuar një raport prej 884 faqesh Gjykatës Supreme, e cila ka vendosur ta publikojë dokumentin. Në këto dokumente kuptohet për herë të parë hollësisht se çfarë kishin thënë dëshmitarët, duke e përshkruar ish-presidentin si njërin prej liderëve kryesorë të komplotit, dhe se nuk ishte thjesht një vrojtues.
“Dëshmitë e siguruara gjatë hetimeve tregojnë se presidenti i atëhershëm Jair Messias Bolsonaro planifikoi, veproi dhe ishte i njoftuar direkt dhe efektivisht në veprimet e organizatës kriminale që synonte të ndërmerrte një grusht shteti dhe të eliminonte rendin demokratik të sundimit të rendit, që nuk u jetësua për shkak të arsyeve të palidhura me dëshirën e tij”, thuhet në dokumentin e prokurorisë.
Në një pikë tjetër thuhet se “Bolsonaro ishte plotësisht i njoftuar dhe se mori pjesë aktivisht”.
Bolsonaro, i cili vazhdimisht ka akuzuar pa dëshmi se sistemi elektronik i votimit ishte kurdisur, kishte ftuar një mbledhje në dhjetorin e vitit 2022, ku kishte paraqitur një draft dekreti para komandantëve të tri divizioneve të forcave të armatosura, sipas raportit policor, të nënshkruar nga katër hetues.
Sipas dekretit do të niste hetimi i dyshimeve për mashtrim dhe krime të lidhura me zgjedhjet e tetorit të vitit 2022, dhe do të suspendoheshin kompetencat e gjykatës elektorale të vendit.
Komandanti i marinës kishte shprehur gatishmëri bashkëpunimi, por komandantët e ushtrisë dhe forcës ajrore ishin kundërshtuar çfarëdo plani që do të parandalonte inaugurimin e Lulas, thuhet në raport. Ishin këto refuzime që pamundësuan zbatimin e dekretit dhe planit, kanë thënë dëshmitarët që kishin dëshmuar para prokurorëve.
Bolsonaro asnjëherë nuk e kishte nënshkruar dekretin në fazën finale për planin për parandalimin e betimit të presidentit të ri.
Sipas prokurorisë, ish-presidenti dhe aleatët e tij kishin planifikuar së pari që ta nisnin grusht shtetin më 15 dhjetor 2022. Në dokument thuhet gjithashtu se komandantët e lartë që kishin bllokuar zbatimin e planit ishin kthyer në caqe të sulmeve online prej mbështetësve militantë të Bolsonaros.
Bolsonaro vazhdimisht i ka hedhur poshtë akuzuat dhe dyshimet se kishte njohuri për një plan grusht shteti për ta ruajtur pushtetin e tij ose për t’ia pamundësuar pasuesit Luiz Inacio Lula da Silva që ta merrte detyrën.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com