Bolivianët zgjedhin presidentin një vit pas dorëheqjes së Evo Moralesit

Gati një vit pas dorëheqjes së ish-udhëheqësit socialist, Evo Morales, bolivianët po votojnë sot për të zgjedhur presidentin në një vend fort të polarizuar.

Për herë të parë që prej 20 vitesh, Evo Morales (2006-2019), udhëheqësi emblematik i të majtës jugamerikane, nuk është kandidat për president, raporton AFP.

Më 10 nëntor 2019, ai kishte dhënë dorëheqje në mes të krizës politike, i akuzuar për keqpërdorime nga opozita, ndërkohë që ai synonte mandatin e katërt.

Zëvendësi i tij, ish-ministri i Ekonomisë, Luis Arce, 57-vjeç, kandidat i Lëvizjes drejt Socializmit, dhe rivali i tij kryesor, ish-presidenti centrist, Carlos Mesa, 67-vjeç, janë favoritë në mesin e 6 kandidatëve.

AFP njofton se sipas hulumtimeve të fundit, Arce, i konsideruar si babai i “mrekullisë (ekonomike) boliviane”, kryeson për rrethin e parë, por me gjasë rrethi i dytë do të jetë i pashmangshëm.

Rreth 7,3 milionë bolivianë janë ftuar të dalin në votime për ta zgjedhur presidentin, por edhe zëvendëspresidentin dhe për ta zgjedhur edhe tërë Parlamentin, i dominuar aktualisht nga Lëvizja drejt Socializmit.

Për shkak të pandemisë së COVID-19, fushata kryesisht është zhvilluar online dhe në rrjetet sociale.