Boletini: Pavarësisht transparencës, ka tendenca të njolloset puna e Bordit për përzgjedhjen e drejtorit të RTK

Kryetari i Bordit të Radio Televizionit të Kosovës, Besnik Boletini ka reaguar ndaj, siç i quan ai, ‘tendencave’ që të njolloset puna e Bordit të RTK-së, përmes procesit të vlerësimit për kandidatët për drejtor të RTK-së.

Ai tha se testi me shkrim për drejtor të RTK-së ka pasur 11 pyetje dhe sipas tij, dallimi në pikë mes anëtarëve është për shkak se secili anëtar e ka vlerësuar secilin kandidat në mënyrë të pavarur.

“Lidhur me zhvillimet e fundit dhe tendencat e vazhdueshme për të njollosur punën e Bordit të RTK-së përmes insinuatave të ndryshme, dua të sqaroj se testi me shkrim i ka pasur gjithsej 11 pyetje, që në total shndërrohen në 100 pikë. Pesë nga 11 pyetjet kanë qenë të hapura, të cilat kanë përmbajtur 65 pikë”, ka shkruar Boletini në Facebook.

Sipas tij, në kuadër te transparencës dhe për të qenë korrekt me secilin kandidat, monitoruesit dhe opinionin publik, bordi i ka publikuar të gjitha detajet e vlerësimit.

“Dallimi në pikë në mes anëtarëve është për faktin se secili anëtar e ka vlerësuar secilin kandidat në mënyrë të pavarur. Dikush nga anëtarët ka mundur ta vlerësojë vetëm përmbajtjen, dikush e ka vlerësuar edhe drejtshkrimin apo renditjen e paragrafëve. Edhe në rastet kur totali i pikëve ka qenë i njëjtë për disa kandidatë, vlerësimi për secilën pyetje përgjithësisht nuk ka qenë i njëjtë. Pra, ka qenë në diskrecion të secilit anëtar për ta vlerësuar dike mbi vlerësimin profesional të tij”, tha më tej Boletini.

Sipas kryetarit të Bordit të RTK-së, nuk ka dallime të mëdha në rezultatet finale, “sepse kandidati i parë dhe kandidati i dytë, që kanë dalë më të mirët, dallojnë për 1.3 pikë, ose kandidati i tretë me të katërtin 1.6 pikë”.

“Si kurrë më parë, aktualisht, është një bord i cili është tërësisht transparent gjatë të gjitha mbledhjeve dhe që lëshon komunikatë pas çdo mbledhje. Është hera e parë që procesi i konkursit për drejtor të përgjithshëm të RTK-së është tërësisht transparent dhe ka prani të monitoruesve të ndryshëm. Pavarësisht këtyre fakteve dhe përpjekjeve për një punë të mirë, Bordi i RTK-së sulmohet në mënyrë të vazhdueshme dhe tendencioze, si asnjëherë më parë”, tha Boletini.

Boletini ka shkruar se kjo ndoshta që dikujt “nuk i kanë dalë matematikat siç i ka menduar se mund të ndërhyjë në punën e bordit”.

“Këto metoda nuk kanë dhënë “rezultate” deri më tani e as nuk do të japin kurrë në këtë bord”, shtoi më tej ai.

Sipas tij, kandidatët duhet ta kuptojnë se pozitën e drejtorit nuk mund ta fitojnë përmes takimeve të fshehta me grupe të interesit, përgjërimeve para deputetëve dhe ministrave, por vetëm përmes integritetit, vizionit dhe profesionalizmit, që ata duhet ta tregojnë në intervistë me gojë.

“Aty do të vlerësohet secili me objektivitet. Aty do të jenë të gjithë monitoruesit që do ta shohin përformancën dhe vlerësimin e secilit kandidat dhe pikët e secilit anëtar”, tha në fund Boletini.

Sot, gjatë ditës, kryetarja e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, Doarsa Kica ka shprehur shqetësim lidhur me mbarëvajtjen e procesit të vlerësimit për kandidatët për drejtor të RTK-së.

KALLXO.com dje ka raportuar se ka dallime të mëdha në poentim nga anëtarët e bordit për përgjigjet e njëjta të kandidatëve për drejtor të RTK-së. 

Pas kërkesës së bërë nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), bordi i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) ka vendosur të publikojë listën e vlerësimit të kandidatëve në testin me shkrim, në të cilën tregohen pikët që kanë marrë kandidatët në secilën përgjigje të dhënë nga secili anëtar i komisionit vlerësues.

KALLXO.com ka shkruar më 14 mars se tetë kandidatë për drejtor të përgjithshëm të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) kanë arritur të kalojnë testin me shkrim dhe janë ftuar për fazën e fundit të konkursit – intervistë.

Në fillim të muajit shkurt, bordi i RTK shpalli konkurs për drejtor të përgjithshëm të këtij institucioni.

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese – BIRN është duke e monitoruar procesin qysh prej shpalljes së konkursit.

Dallime të mëdha në poentim nga anëtarët e bordit për përgjigjet e njëjta të kandidatëve për drejtor të RTK-së

.