Boletini komenton gjetjet e Auditorit për Ngadhnjim Kastratin dhe Festim Kabashin

Kryetari i bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), Besnik Boletini, në emisionin “Kallxo Përnime” ka folur për arsyet për të cilat është shkarkuar ish-drejtori i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati.

Boletini është pyetur nëse ka pasur arsye të tjera përveç konstatimeve të Auditorit që zgjedhja e Ngadhnjim Kastratit në krye të RTK-së është bërë në mënyrë të kundërligjshme, sepse nuk i ka marrë votat e dy të tretave të anëtarëve të bordit.

“Ne ketë nuk e kemi përfshirë fare në vendimin tonë për shkarkim sepse është një rast që është në gjykatë por ne konsiderojmë që drejtori përgjithshëm i RTK-së duhet të zgjidhet me dy të tretat e ashtu siç e përcakton Ligji i RTK-së, që do të thotë duhet të jenë 8 vota për”, ka thënë Boletini.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se zgjedhja e Ngadhnjim Kastratit si drejtor i përgjithshëm i Radiotelevizionit të Kosovës në vitin 2019 ka qenë i jashtëligjshëm.

Boletini ka thënë se bordi është pajtuar me këtë gjetje të ZKA-së.

“Çdo version tjetër jashtë kësaj është joligjor, sigurisht jemi pajtuar edhe me ketë gjetje të ZKA-së, sepse reflektojnë në një keqmenaxhim”, ka thënë Boletini.

Boletini tutje ka folur edhe për gjetjet e Auditorit ku thuhet se zgjedhja e drejtorit të televizionit në RTK, Festim Kabashi, në vitin 2020 ishte bërë duke mos përfillur disa kushte të caktuara.

Në raportin e performancës të hartuar nga ZKA thuhet se gjatë procedurave të rekrutimit dy kandidatët finalistë ishin notuar me pikë të njëjta.

Sipas kushteve të përcaktuara, ‘përparësi kanë kandidatët me përvojë më të gjatë’.

Kandidati i cili nuk ishte përzgjedhur nga bordi kishte pasur më shumë përvojë se Festim Kabashi, i cili mban ende pozitën e drejtorit të televizionit.

Besnik Boletini në emisionin “Kallxo Përnime”, ka shpjeguar dallimin mes rastit të Kastratit dhe Kabashit.

Ai ka thënë se bordi do të adresojë të gjitha rekomandimet e ZKA-së.

“Bordi i RTK-së emëron dhe shkarkon vetëm drejtorin e përgjithshëm kurse pozita të tjera emërohen dhe shkarkohen me propozimin paraprakë nga drejtori i përgjithshëm. Pra, është kompetencë e drejtorit të përgjithshëm të na propozojë pastaj bordi i miraton. Këto janë kompetenca të ndara”, ka thënë ai.