Boksierëve të Kosovës iu ndalohet hyrja në Serbi për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror

Boksierëve të Kosovës u është ndaluar hyrja në Serbi për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror.

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) përmes një reagimi këtë gjë e ka quajtur ‘skandal’.

“Komiteti Olimpik i Kosovës me shqetësim të madh ka pritur lajmin se ekspedita e boksit të Kosovës nuk është lejuar të hyjë në Serbi, për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të boksit, që prej 24 tetor deri më 6 nëntor 2021 mbahet në Beograd të Serbisë”, thuhet në njoftim.

Sipas KOK-ut, boksierët ishin nisur sot në orët e mëngjesit, por pas pritjes disa orëshe, policia serbe nuk u ka lejuar hyrjen në Serbi.

“Ekspedita e boksit ishte nisur në orët e hershme të mëngjesit, për të kaluar përmes kufirit në Konçul, por përkundër pritjeve shumë orëshe, policia serbe nuk ka lejuar hyrjen e tyre, gjë që ka bërë që ekspedita e boksit të kthehet për në Prishtinë” thuhet tutje nga KOK.

Në njoftim potencohet se drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Ismet Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, janë në kontakt të vazhdueshëm me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje emergjente dhe ekipi i boksit të Kosovës të niset sërish drejt Beogradit për të garuar i barabartë me shtetet tjera pjesëmarrëse në botëror.

Gjithashtu KOK thekson se, ka kontaktuar me drejtuesit e AIBA-s (Federata Botërore e Boksit), nga të cilët ka marrë premtimin se do të marrin masa të menjëhershme për t’iu mundësuar  boksierëve  hyrjen në Serbi dhe pjesëmarrjen me të drejta të barabarta.

Ekspedita e boksit përbëhet nga tre boksierët, Patrit Behrami, Shpëtim e Bashkim Bajoku, përzgjedhësi Besim Brahimi dhe sekretari i përgjithshëm, Latif Demolli.