Bogujevci ia ndërpret fjalën ministres Haxhiu: Nuk keni të drejtë të komentoni!
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci ia ka ndal fjalën ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, derisa kjo e fundit po komentonte një deklaratë të deputetit Hisen Berisha nga Partia Demokratike e Kosovës, për çështjen e pyetjeve parlamentare.
Berisha paraprakisht ishte njoftuar nga Bogujevci se ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu nuk ishte në sallë, për të cilin deputeti i PDK-së e kishte një pyetje parlamentare. Berisha theksoi se ka pyetje që mbesin ende aktuale, e të cilat i ka drejtuar jo vetëm te ministri, por edhe te kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Pyetjet e mia mbesin ende aktuale … sepse gjendja e rrugëve që jam intersuar është e njëjta, bile mos është edhe më tmerruese, se me pasë mujtë me i ndalë mërgimtarët me nejtë deri në fund të vitit ndoshta edhe ishin kry. Rrugët janë bo tmerrësisht të pakalueshme, qoftë në Kijevë a në Klinë”- deklaroi ai.
Ndërkohë, derisa po i përgjigjej një pyetjeje të parashtruar nga një deputete e LVV-së, ministrja Haxhiu akuzoi deputetin Berisha se i njëjti i ka bërë dy pyetje, por i ka tërhequr.
“Më lejoni që të përgjigjem ndaj komentit të deputetit Hisen Berisha. Nënkryetare nuk është në rregull që në Kuvend të ketë manipulime, deputeti Hisen Berisha i ka bërë dy pyetje, por i ka tërhequr. Unë e kam edhe letrën që ai e ka dërguar ku e thekson se i tërheqë pyetjet dhe unë nuk kam faj se deputetët e opozitës po i bien pishman”- ka deklaruar Haxhiu.
Pas kësaj deklarate nënkryetarja Bogujevci ka kërkuar nga regjia që ministres t’i ndalet fjala.
“Zonja Haxhiu të lutem duhet vetëm pyetjes t’i përgjigjeni. Nuk keni të drejtë të komentoni. Regjia ju lutem ia ndaloni fjalën”- ka urdhëruar Bogujevci.
Ministrja Haxhiu më pas është larguar nga salla e Kuvendit.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë mbledhur sot më 12.09.2024 për të mbajtur seancën e parë plenare të sesioni vjeshtor.
Në rend dite janë paraparë të diskutohen mbi 30 pika, duke përfshirë ato nga seancat e papërfunduara të marsit dhe majit të këtij viti.