Foto: ZKM

Boehler: 'Autostrada e Paqes' dhe Hekurudha janë rrugës për të filluar

Adam Boehler, shefi ekzekutiv i DFC-së thotë se investimet për rrugë dhe hekurudha janë vetëm hapi i parë i bashkëpunimit.

Adam Boehler, shefi ekzekutiv i Korporatës për zhvillim ndërkombëtar internacional përmes një konference për shtyp në formë elektronike diskutoi lidhur me hapat që ka marrë kjo korporatë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Boehler ka thënë se është i lumtur që Kosova dhe Serbia kanë lënë anash konfliktin dhe janë pajtuar për bashkëpunim ekonomik.

Ai gjithashtu ka shtuar se “Autostarda e Paqes” dhe Hekurudha janë projekte që tashmë janë rrugës për të filluar.

“Jam i lumtur që këto dy vende kanë lënë anash konfliktet, interesi jonë në këtë rajon është ekonomik, nga marrëveshja e Uashingtonit, projektet e para si Autostrada e Paqes dhe Hekurudha janë projektet që veçse janë rrugës për të filluar”, ka thënë Boehler.

Boehler gjithashtu u pyet edhe për mënyrën se si do ndahet shuma prej 4 miliardë dollarëve që janë përmendur si investime në rajon, më saktësisht sa shkojnë në Kosovë dhe sa në Serbi.

Ai shtoi se është e vështirë të thuhet saktë pasi nevojitet diskutim i vazhdueshëm mes vendeve dhe nevojave që dalin gjatë rrugës.

“Nuk mund të thuhet shuma specifike për këto projekte sepse këtu do investohet edhe në sektorin e energjisë gjithashtu do ketë edhe diskutime mes vendeve se ku dhe si do investohet”, ka shtuar tutje Boehler.

Boehler gjithashtu u pyet edhe nëse këto investime dhe kjo zyrë e DFC-së po mundohet ta minojë ndikimin ekonomik të Kinës në Serbi.

Lidhur më këtë temë Boehker tha se Kina nuk po investon për bamirësi por për influencë me qasje neokoloniale.

“DFC është agjenci e re dhe është shumë e rëndësishme për në që të kemi këso investimesh. Kina nuk bënë investime për bamirësi, qasja e saj është më shumë për të shtrirë ndikim dhe një lloj neo-kolonializmi”, është shprehur Boehler.

Boehler për fund ka thënë se investime si këto janë vetëm hapi i parë i një bashkëpunimi që do vazhdojë edhe më tutje.

Kosova dhe Serbia më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë janë pajtuar të zbatojnë një sërë marrëveshjesh të arritura tashmë, siç është ajo për autostradën mes Kosovës dhe Serbisë, ajo për hekurudhat dhe për linjën ajrore.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kanë nënshkruar marrëveshje për normalizim ekonomik.