Shërndarja e materialeve nga KQZ-ja - Foto nga arkivi

Bllokohet tenderi për transportimin e votave të diasporës - KQZ thotë se bartja e fletëvotimeve do të bëhet me ndihmën e MPJD-së

Tenderi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për transportimin e votave dhe materialeve zgjedhore të diasporës për në Kosovë është bllokuar, pasi ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Njëra prej dy Kompanive që ka ofertuar në këtë tender, Kompania “3P” ka bërë Ankesë në OSHP, pasi që paraprakisht Ankesa në KQZ ishte shpallur e pabazuar.

Në një komunikatë për media, KQZ ka thënë se pasi që tenderi është bllokuar, tërheqja e materialeve zgjedhore nga përfaqësitë diplomatike në shtetet e ndryshme të botës do të bëhet përmes rrugëve tokësore nga zyrtarët e KQZ-së, me ndihmën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).

“Deri më tani, në disa raste, KQZ ka tërhequr pakot me fletëvotime, të cilat janë dërguar për të qëndruar përkohësisht në përfaqësi të ndryshme diplomatike, respektivisht në dhomat e tyre të sigurisë, ku vëzhgohen vazhdimisht nga kamerat. Këto tërheqje janë zhvilluar në një proces transparent, me njoftimin paraprak të vëzhguesve të subjekteve politike, të cilët nuk kanë evidentuar ndonjë vërejtje në protokolet e tërheqjes dhe në praninë e zyrtarëve të KQZ-së.” – thuhet në komunikatë.

“Gjithashtu, KQZ sqaron se sjellja e pakove me fletëvotime dhe materialeve të tjera zgjedhore në Republikën e Kosovës do të bëhet nën shoqërimin e vazhdueshëm të zyrtarëve të KQZ-së, me statusin e dërgesave diplomatike. Ky lloj i transportit ka karakterin diplomatik, me elementet shoqëruese, siç janë notat verbale, çka e shton sigurinë e ngarkesave”.

Ndërsa, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka bërë të ditur se gjatë mbrëmjes së datës 04.02.2025 në KQZ janë sjellë 36 mijë e 500 pako me fletëvotime, të cilat i takojnë procesit të votimit përmes postës, në kutitë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, nga Gjermania dhe Zvicra.

Pasi që fillimisht i kishte dështuar tenderi i procedurës së hapur për transportimin e fletëvotimeve dhe materialeve zgjedhore të diasporës për në Kosovë, KQZ më pas kishte hapur tender të negociuar, pa publikim të njoftimit për Kontratë. Në këtë tender të negociuar kanë ofertuar dy Kompani: “A.L. Dushi” dhe “3P’.

“3P” kishte ofertuar me 417 euro për njësi, ndërsa “A.L. Dushi” me 791 euro. Pas zhvillimit të negociatave, oferta e “A.L. Dushi” kishte zbritur në 782.60 euro për njësi.

Pas vlerësimit të ofertave, KQZ më 17.01.2025 kishte eliminuar Kompaninë “3P”, me arsyetimin se kjo Kompani në ofertën e saj nuk e ka dorëzuar Deklaratën për specifikacionet teknike për shërbimet e ofruara, nuk kishte emëruar një menaxher të projektit, nuk kishte dorëzuar Deklaratë me shkrim mbi afatin e liferimit sipas kërkesës së KQZ-së, nuk kishte dorëzuar listën e veturave që do të kryenin shërbimet, me informatat si modeli, fotografia dhe numri i regjistrimit, si dhe nuk kishte dërguar Deklaratën e nënshkruar dhe të vulosur që garanton realizimin e dërgesave në afatet e përcaktuara.

Ndërsa Kompaninë “A.L. Dushi” e kishte shpallur si të përgjegjshme dhe e kishte rekomanduar për nënshkrimin e Kontratës.

Por, më pas, më 22.01.2025 “3P” ka bërë Ankesë te KQZ-ja, në lidhje me eliminimin.

KQZ më 24.01.2025 ka refuzuar si të pabazuar Ankesën e Kompanisë “3P”, ndërsa Kompania me 03.02.2025 ka dorëzuar Ankesën në OSHP. Kontrata nuk mund të nënshkruhet, derisa OSHP-ja të vendosë në lidhje me Ankesën.

Kompania “A.L. Dushi” më parë kishte pasur probleme me transportin e pasaportave të mërgimtarëve nga Kosova, në një tender tjetër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Më 24.10.2024, MPJD kishte shkëputur Kontratën me “A.L. Dushi”, e cila ishte e kontraktuar për transportin e dërgesave diplomatike nëpër Ambasadat e Kosovës në Europë dhe botë. Arsyeja, sipas MPJD-së, ka qenë për shkak të vonesave në dërgimin e dokumenteve diplomatike dhe pasi që 406 pasaporta dhe 165 letërnjoftime nuk kishin arritur në destinacion, në atë kohë.

Gjithashtu, për Kompaninë “A.L. Dushi” MPJD kishte dorëzuar Kërkesë në OSHP, që Kompania në fjalë të futet në listën e zezë, për shkak të dështimit të zbatimit të Kontratës, konkretisht vonesave në dërgesa.

Por, më 03.02.2025, OSHP ka refuzuar Kërkesën e MPJD-së, duke thënë se ka kompetencë për trajtimin e rasteve vetëm kur ka pretendime për falsifikim të dokumenteve në tender, e jo për moszbatim të Kontratave. Sipas arsyetimit, moszbatimi i Kontratave dhe mosmarrëveshjet e tilla duhet të dërgohen në Gjykatën përkatëse.

Procesi i votimit jashtë vendit zhvillohet në 17 Ambasada dhe 15 Konsullata, në 19 shtete të ndryshme të botës. Numri i qytetarëve, sipas të dhënave të KQZ-së, të cilët janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104 mijë e 924 votues. Prej shumës totale, 84 mijë e 525 prej tyre kanë zgjedhur të votojnë përmes postës.

Në Kosovë votimi bëhet me 9 shkurt 2025.

KQZ rekomandoi për Kontratë në tenderin për transportin e votave të diasporës Kompaninë që MPJD-ja ia kishte shkëputur Kontratën