Vërshimet në Skenderaj, 19 janar 2023

Bllokohen nga vërshimet 12 familje në Drejë të Istogut, pritet intervenimi i FSK-së

12 familje kanë mbetur të bllokuara në fshatin Drejë të Istogut pas reshjeve të shiut që ndodhën gjatë ditës së sotme,

Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com Xhevat Demaj, drejtor i Emergjencave në Komunën e Istogut.

Ai ka thënë se gjendja e familjeve është e mirë dhe se ka kontaktuar me ta. Po ashtu, Demaj tregoi se Forca Sigurisë së Kosovës ka lëshuar një vendim që t’i evakuojë këto familje, nëse këta të fundit e shohin të nevojshme.

“12 familje kanë mbetur të bllokuara në fshatin Drejë të Istogut. Gjendja është mirë, kemi kontatuar me ata. Forca e Sigurisë së Kosovës e kanë lëshu një vendim, po pritet nëse dojnë që të evakuohen duhet t’i evakuojmë disa” – ka thënë Demaj.

Drejtori po ashtu ka treguar se dy familje veçse janë duke u evakuuar, përderisa për të tjerat pritet që të bashkëveprohet me FSK-në.

Demaj tregoi se shiu për momentin është ndalur dhe se situata është pak më e mirë, mirëpo sipas drejtorit gjendja prapë mbetet e vështirë.

Vërshimet kanë prekur disa komuna, përfshirë këtu Pejën, Skenderajn, Drenasin, Mitrovicën e të tjera, ku disa prej tyre edhe kanë shpallur edhe gjendje emergjente.