Foto: KALLXO.com

Bllokohen kamionët me mbeturinat e Vushtrrisë, nuk lejohen të zbrazen në deponinë në Koshtovë

Disa kamionë të mbushur me mbeturina janë bllokuar në fshatin Koshtovë dhe nuk po lejohen të zbrazen në deponinë që gjendet në këtë fshat të Mitrovicës.

Kamionët janë mbushur me mbeturina në zonën e Vushtrrisë.

Ata nuk po lejohen të zbrazen në deponinë të cilën e menaxhon Kompania Rajonale “Uniteti”.

KALLXO.com ka siguruar fotografi dhe video nga vendi ku janë bllokuar kamionët e mbushur me mbeturina.

Foto: KALLXO.com

Lidhur me këtë rast, KALLXO.com ka kontaktuar me shefin ekzekutiv të Kompanisë Rajonale “Uniteti“, Gazmend Morina.

Ai ka thënë se shkaku i vetëm i moslejimit të zbrazjes së kamionëve të kësaj kompanie është ndërprerja e kontratës me Komunën e Vushtrrisë për ofrimin e këtyre shërbimeve.

“Prej datës 2 korrik e kemi ndërprerë ofrimin e shërbimeve për Vushtrrinë për shkak së nuk kemi kontratë nga data 1 korrik me këtë Komunë. Vendimi është i bazuar në vendimin e bordit të drejtorëve të datës 5 korrik, ku thotë se nuk mundemi me i ofru shërbime asnjë komune më shumë se 15 ditë pune pa kontratë. Ndërsa 15 ditë pune janë bërë me datë 19 korrik“, tha Gazmend Morina për KALLXO.com.