(Arkiv) Shaban Gogaj, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt - FOTO-KALLXO.com
Bllokimi i procesit ndaj Shaban Gogajt, avokati nuk vjen në seancë
Mbrojtësi i Shaban Gogaj, avokati Asdren Mekaj, përkundër që në seancën e kaluar kishte kërkuar nga gjykata kohë për përgatitjen e lëndës, sot nuk u paraqit në seancë gjyqësore ku Gogaj po akuzohet për vrasjen e Agonis Tetajt.
Njoftimin për mungesën e tij Mekaj e kishte bërë përmes shkresës sot në ora 08:15, gjersa seanca pritej të fillonte në ora 10:00.
Avokati në shkresën e drejtuar gjykatës kishte deklaruar përkundër përgatitjes për mbrojtje dhe përfaqësim të lëndës, nuk mund të paraqitet si mbrojtës i Gogajt për arsye se vetë i pandehuri dhe familja e tij nuk e dëshirojnë si mbrojtës në këtë çështje penale.
“… unë kam hasur në pengesë absolute që më pamundëson pjesëmarrjen në seancë dhe kjo lidhet me mungesën e vullnetit për bashkëpunim të klientit tim që të jem mbrojtës i tij”, tha gjyqtarja duke lexuar parashtresën e avokatit.
Kështu në këto rrethana avokati Asdren Mekaj i caktuar sipas detyrës zyrtare, është tërhequr nga mbrojtja e Shaban Gogajt.
Gjyqtarja në anën tjetër, tha se ka kontaktuar me avokatin me qëllim të krijimit të kushteve për mbajtjen e seancës dhe i njëjti ishte zotuar që do të paraqitej në seancë përkundër asaj se a e pranon Gogaj si avokat apo jo.
Në mungesën e avokatit, seanca nuk u arrit të mbahej, ndërsa trupi gjykues i shqiptoi avokatit Mekaj gjobë prej 250 euro për zvarritje dhe prolongim të procesit.
Seanca e radhës u caktua më 23 gusht 2022.
Procesi gjyqësor i Shaban Gogajt është bllokuar prej momentin kur avokati Besnik Berisha ishte përjashtuar nga e drejta për mbrojtje në këtë çështje penale.
Ndërsa ende nuk po arrihet të krijohen kushtet për seancë pasi nuk po arrihet të sigurohet mbrojtja e Gogajt, gjersa ky i fundit ka deklaruar se nuk e dëshiron një mbrojtës tjetër përveç avokatit Besnik Berisha.
Gogajt po mbahet në paraburgim prej ditës kur ka ndodhur vrasja e Agonis Tetajt.
Sipas aktakuzës se prokurorisë, më 23 shtator të vitit 2021, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj mori një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.
Tutje, aktakuza sqaron se i ndjeri Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stogjeve përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të u larguan edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z.
Sipas dosjes së prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj, nga karrigia e anës së majtë të banakut kaloi në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxorri revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendosi karikatorin dhe e mori në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë, duke e vrarë.
Viktima ishte punëtor në lokalin e të akuzuarit.
Të gjitha raportimet e KALLXO lidhur më këtë rast mund ti lexoni në këtë LINK.