Veton Elshani
Bllokimi i pikave kufitare nga ana e Serbisë, Elshani: Nuk pritet eskalim i situatës
Në lidhje me bllokimin e rrugëve në Serbi në drejtim të pikave kufitare më Kosovën që është paralajmëruar për nesër më 06.09.2024 si dhe është lëshuar thirrje nga Ministria e Jashtme dhe Diasporës së Kosovës për shmangie të tyre, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani ka thënë se nuk pritet të ketë eskalim të situatës.
“Gjithmonë kur kemi informacion se diçka mund të ndodhë, ne kemi planet tona operacionale mirëpo duke marr parasysh natyrën e situatës në veri nuk na zë asgjë në befasi. Kështu që konsiderojmë për çdo gjë do të kaloi në rregull, në rast se kemi bllokada në pika kufitare serbe. Ajo që duhet të kenë kujdes qytetarët është që ata mos i frekuentojnë mundësisht këto pika kufitare nga ora 18:00 ashtu siç është paralajmëruar”- ka thënë Elshani.
Tutje ai potencon se protesta e paralajmëruar nga serbët nuk do të jetë në të gjitha pikat e paralajmëruara.
“Sipas informacioneve që i kemi se si do të zhvillohet por me siguri nuk do të jenë të gjitha pikat që ata i kanë përmend aty. Nuk ka gjasë për eskalim të situatës në Kosovë, nëse ndodhë diçka ne jemi këtu”- shtoi ai.
Kallxo.com ka raportuar dje më 04.09.2024 se pesë zyrtarë te ish strukturave paralele janë ftuar në stacion policor për intervistë, nën dyshimin për falsifikim të dokumenteve.
Dje është intervistuar ish kryetari i komunës paralele, Milan Radojeviq.
“Kjo është punë e hetueseve dhe e prokurorit në fjalë, mesa e di janë pesë ftesa të cilat i kemi shpërnda, katër i kemi gjetur në shtëpi, një jo. Kaq mund të them unë. Arsyeja pse ata intervistohen lidhet me rastin e komunave paralele që kemi mbyllur të premten e kaluar”- përfundoi Elshani.
Paralajmërimi për mbyllje të rrugëve në Serbi që shpien në pikat kufitare me Kosovën erdhi pas mbylljes së komunave paralele në veri të Kosovës, veprim ky që u kritikua nga bashkësia ndërkombëtare por edhe nxiti protesta të serbëve lokal.
MPJD thirrje qytetarëve të shmangin hyrje-daljet në vendkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë